Si një lloj “humori i zi”, në këtë shkrim po prek disa “përputhje” në vitet e Komandantit tonë legjendar, me “Skënderbeun e sotëm” të Spiropalit. Ndoshta edhe Spiropalseja këtë ngjashmëri ka pasur në mendje, por përdori emrin e Skënderbeut për të qënë “politikisht korrekt”.
Mendja tek përputhjet, më shkoi se në vitin 1968,
kur “Enveri ynë“ mbushi 60 vjet dhe ishte i konsoliduar në pushtet, u mendua që
kishte ardhur koha, që fotoja e tij të ishte në gjithë shtëpitë shqiptare, duke
përjashtuar këtu ato të armiqve të klasës. U bënë foto të bukura, ku Udhëheqësi
i qetë dhe i buzëqeshur, qëndronte i patundur në kolltukun e tij para disa kaçubeve
landro. Fotot ishin të përmasave të ndryshme dhe ju shpërndaheshin kryefamiljarëve,
bazuar në rëndësinë që kishin në punë. Piramida funksiononte në këtë mënyrë.
Fotot më të vogla “13x18” ju jepeshin punëtorëve të thjeshtë. Të gjitha duhej të
vendoseshin në vendin më të dukshëm në dhomën më të mirë të shtëpisë.
Edi Rama po i afrohet përvjetorit të 60-të dhe në pushtet është
më i fortë se kurrë. Mund të realizohet mot, më 4 korrik, një cikël me fotot e
tij në Vilën e Surrelit dhe t’ju shpërndahen shqiptarëve. Pas posterave të mëdha
dhe fotove të kudondodhura në gjithë rrjetet sociale, nuk ka pse mos kenë nga
një foto në dhomën e ndenies jo vetëm aktivistët, por edhe të gjithë shqiptarët
që e duan dhe i besojnë.
Por ka edhe disa numra të tjerë, që përkojnë mbase jo në mënyrë
të frikshme, por që ja vlen të përmenden. Duken si një formë parodike e fatit të
shqiptarëve. Rama u angazhua në karrierën politike në vitin 1997, kur ishte 33
vjeçar, po aq sa ishte edhe "Legjendari", kur u afrua nga Koço Tashkoja në
mbledhjen e fshehtë të nëntorit 1941. Ramën e afroi Fatos Nano, që mendonte se
mund ta përdorte si vegël të efektshme ndaj kundërshtarëve të tij politikë.
Më pas, me të njëjtin talent intriganti, Rama ngjiti shkallët
drejt pushtetit absolut, duke përdorur çdo mënyrë që i jepte avantazh ndaj shokëve
të një “ideali”. Duke përdorur presionet, shpënien e fjalëve në vesh, shitjen e
të tjerëve, lulet në spitale dhe dhuratat në ditlindje dhe gjithfarë
makinacionesh, që nuk janë as në librin “Princi”, po njëlloj si Komandanti, në
moshën 40 vjeçare, ai shtiri në dorë kontrollin e Partisë. “Koço Tashkoja-
Fatos Nano” ishte penduar që kishte sjellë “Përbindëshin” në Parti, por ishte
tepër vonë.
Sigurisht, që ligjet e sistemit të ri, nuk e lejojnë Edi Ramën as të pushkatojë shokët dhe as të izolojë vendin.
Kur ishte 53 vjeç, Enver
Hoxha e mbylli plotësisht Shqipërinë për shqiptarët, ndërsa në moshën 53 vjeçare,
kur mori mandatin e dytë qeverisës, Rama filloi t’i detyrojë shqiptarët në masë
të madhe të largohen nga vendi. Pra bëri të kundërtën e Heroit të tij. E vetmja
ngjashmëri qëndron në lidhjen që ka forcimi i pushtetit në dorën e një njeriu
me rritjen e paranojës.
Në pragun e mbushjes 60 vjet, Edi Rama ka pushtetin më
absolut, që ka pasur gjatë karrierës së tij dhe është bërë më paranoiak se kurrë. E dëshmon në
afrimin që bën në sferat e larta qeverisëse të shumë njerëzve jo brilantë dhe “peqelepista”.
Ata , të cilët fillojnë “të rrisin ambiciet” i ul disa shkallë më poshtë duke
ju kujtuar të gjithëve, se në Olimpin e Partisë Socialiste ka vend vetëm për
Zeusin. Të gjithë të tjerët janë të skartueshëm. Aq të qartë ja u ka bërë vartësve
të tij këtë, sa shumë prej ministrave e përsëritin vetë këtë refren.
Edhe pse nuk shkon t’i urojmë “Rrofsh sa malet tona!”, nuk është
as e udhës të grishim “Forcat e Mbinatyrshme” ta marrin një orë e më parë.
Në fund të fundit nuk është faji i tij. Thjesht një ngjashmëri
numurash.
No comments:
Post a Comment