(vijim)
Edhe pse emrat e përmendur i përkasin vetëm politikës, nuk
dua të them se ata janë të vetmit protagonistë të punëve “të turpshme” (të
paligjshme), por duke qënë në njerëzit që zenë më shumë vend në mediat
tradicionale dhe njëkohësisht njerëzit e pasuruar pa “ju rënë bretku në punë“,
sigurisht që janë modeli më ndikues dhe më i keq në shoqërinë shqiptare. “Mafia
e jakave të bardha” është ku e ku më e rrezikshme për shoqërinë se sa ajo e botës
së nëndheshme. Janë ata, të cilët jo vetëm që ndikojnë në jetën e përditshme të
të gjithë njerëzve, por më keq akoma ndikojnë në formimin psikologjik të të
rinjve dhe të fëmijëve. Në mjediset tona universitare, ku duhet të vlonte
dëshira për të reformuar Shqipërinë, mbizotëron dëshira për të ndjekur
shembullin e “politikanëve të suksesshëm të tipit Rama dhe Veliaj”. Eshtë me të
vërtetë një gjendje e keqe me pasoja për disa dhjetvjeçarë.
Disa nga politikanët tanë kryesorë (por edhe ndonjë
biznesmen shumë i suksesshëm) më kujton famëkeqin Jeffrey Epstein, i cili vrau
veten në burg, ku pritej të dënohej për marëdhënie me të mitura dhe përdhunim.
Në fillimet e karrierës së tij në Uoll Strit, dikush që e kishte rekomanduar për
një post në një punë të dyshimtë financiare kishte thënë: “Ai është adapt për atë punë se nuk ka asnjë lloj parimi moral!”
Sigurisht, pasi u bë miliarder ai kishte “miq me kokë“ nga Princi Andrew tek
Klintonët, por edhe nëse do donte të kishte një zyrë të lartë shtetërore nuk
mund të zgjidhej. Pa mohuar faktin se në administratat perëndimore ka “të pacipë“, ndryshimi me
shoqërinë tonë është se ka një kufi, i cili nuk mund të kalohet.
Në të kundërt me Perëndimin, zvetënimi moral është shumë i përhapur
në vendet e ish Kampit Sovjetik. Ngjashmëria e shoqërive të tyre me shoqërinë shqiptare
është evidente. Ndoshta për shkak të izolimit dhe të varfërisë ne ja u kemi
kaluar në “mafiat e diasporës”, por edhe kjo është deri diku rrjedhojë e
korrupsionit të politikanëve shqiptarë, sepse një mirë e mirë e parave të drogës
pastrohen në Shqipëri. Ekonomia e vendit është mjaft e varur nga paratë e pista
të trafiqeve.
Një bjerrje e përgjithshme e moralit të shoqërisë të le përshtypjen
e parë se gjendja është e pashpresë dhe sa vjen e do keqësohet. Edhe pse mund të
ketë një shkallëzim të rënies morale në dy-tre dhjetvjeçarë, me “trupin” e shoqërisë
ndodh diçka e ngjashme me trupin e qënieve të gjalla. Aktivizohen “antitrupëzat”,
të cilat luftojnë nga brenda sëmundjen dhe e rishëndoshin organizmin. Një gjë e
tillë do ndodhë edhe në Shqipëri se nuk mund të shkohet pafundësisht thellë së
Keqes. Që tani ka shënja në të rinjtë, që kërkojnë një rikthim të moralit jo
vetëm në politikë por edhe në gjithë jetën e vendit. Nëse “namuzi” hë për hë është
kthyer në diçka “anakronike”, nuk mund të vazhdojë gjithnjë kështu. Njerëzit po
e ndjejnë që diçka thellësisht e keqe po e kërcënon jetën e shoqërisë
shqiptare.
Ndoshta në 4-5 vitet e ardhme, e “Keqja” e mishëruar në
lidhjen e Ramës, Veliajt e kompani me botën e krimit (direkt dhe indirekt) do
jetë në zenithin e saj, por pas majave gjithnjë fillon e tatëpjeta, e cila merr
kohë, por ndodh.
Atëhere elita shqiptare do ketë edhe shumë njerëz, të cilët
skuqen kur bëjnë gjëra të turpshme.
No comments:
Post a Comment