Wednesday, 24 May 2023

Duhet të kenë turp homoseksualët apo...?


Në vazhdim të shkrimit “Turpi u bë Nder!”, po prek një temë të veçantë, që tregon se si ka evoluar qëndrimi i shoqërive në veprime, që dikur quheshin të turpshme dhe të dënueshme me ligj.

Po e hap duke shkruar se ata, të cilët duhet të kenë turp, janë ata që i persekutojnë dhe i përbuzin haptaz.

Natyrisht, që ky nuk është një qëndrim shumë i hershëm i imi, sepse jam rritur në një kohë, që edhe pse shumë njerëzve mund t’ju dukej i paarsyeshëm dënimi me burg, përsëri e konsideronin homoseksualizmin  një gjë tejet të turpshme. Në mjediset e qytetit ku jam rritur, edhe pse ata/ato , të cilët përfliteshin si homoseksualë ishin shum të pakëti, i gjithë opinion ishte i ashpër me atë dukuri. Sigurisht që feja ka luajtur një rol në të dhe çuditërisht edhe pse e quanin veten komunistë, banda që drjtonte shtetin i dënonte edhe me ligj marëdhëniet midis njerëzve të të njëjtit seks.

Ende sot, edhe pse me një qëndrim krejt të ndryshëm nga ai i para viteve ’90, ndërsa dëgjoj për dikë të njohur, që ka dalë hapur si I tillë nuk jam plotësisht neutral. Por logjika më kujton se edhe pse mund të mos jetë një lajm shumë i gëzueshëm për çdo familje shqiptare, njëkohësisht nuk ka përse të jetë i hidhur. Dhe për fat të keq, ende shumë familje shqiptare, të cilave ju ndodh që një pjesëtar i tyre t’ju thotë se është gay, ju duket se do ishte më mirë t’ju kishte ndodhur një gjëmë tjetër, por jo kjo. Ka dhe deri në qëndrimet ekstreme të “të bërit hasha” të djalit apo vajzës.

Duhet të pranojmë se kjo dukuri është e vjetër sa edhe njerëzimi. Ende nuk është e shpjeguar shkencërisht se sa ndodh për shkaqe objektive dhe sa për ato subjektive, por fakt është që një pakicë e njerëzve orientohen seksualisht ndaj seksit të njëjtë. Këtu nis raporti i shumicës me pakicën homoseksuale. Nëse këtë e pranojmë si të natyrshme, nuk ka as dhe arsyen më të vogël se pse duhet t’i nënvleftësojmë, t’i përbuzim dhe akoma më keq t’i persekutojmë. Gjithsejcili është në të drejtën e tij të ketë opinion për këtë çështje, të shoqërohet ose jo me homoseksualë, por s’ka të drejtë t’ju thotë as një çerek fjale, veç nëse do të shfaqë hapur injorancën dhe anakronizmin e tij/saj.

Shoqëria shqiptare ka ndryshuar në disa aspekte. Tashmë është e turpshme të vesh në lojë njerëzit me të meta mendore, apo handikapatët, gjë që ndodhte shpesh në brezin tonë. Por në ]ështjen e trajtimit të minoriteteve (ku hyjnë edhe homoseksualët) është përsëri shumë prapa. E dëshmojnë edhe komentet fyese dhe agresive në rrjetet sociale, atje ku edhe shfaqen më mirë karakteristikat morale të një shoqërie të caktuar.

Eshtë koha për t’ju thënë “Turp!” atyre që vrasin me fjalë njerëzit, të cilët nuk ju kanë asnjë faj!

No comments:

Post a Comment