Wednesday, 10 May 2023

Silicon Valley …në Qatrom?!


Shprehja : “Ai t’a sjell Stambollin në Barç!” është tipike korçare, sepse nuk ka fshat tjetër në Shqipëri apo në Ballkan që quhet Barç. Si dihet nga të gjithë është një përmbledhje e karakterit dhe veprimtarisë të një mashtruesi tipik të anëve tona. Dikush që premtonte të të rregullonte gjithshka në kryeqytetin e Perandorisë Otomane, thuajse e kishte diku pas kodrës së Belvederes.

Raqkë Melka Filka nuk premton më Stambollin, (pas shumë e shumë premtimeve për aeroport, TEC, dronë taksi etj.), por ka gjetur një premtim shumë “bashkëkohor”. Do ndërtojë një lagje të re teknologjiko-informatike diku pranë Qatromit. Për herë të parë dhe më e madhja në Ballkan! Vendi ku të rinjtë do kërkojnë avenirin e tyre! Risia më e madhe në fushën e nanoteknologjisë! E të tjera e të tjera dëngla si këto. Me një fjalë Silicon Valley i Ballkanit do ndërtohet tek SouthGate e Korçës dhe pikërisht në Qatrom!

Edhe pse që prej vitit 2011, kur nisi të diskretitonte arkitektët, unë e kam quajtur Ligaveci Gollash, përsëri mendohem për këtë premtim të tij, të materializuar edhe në projekte. Se duhet ta pranojmë, që ai ka njohuri të mira në fushat e informatikës dhe të elektronikës edhe pse zgjodhi t’i futej politikës.

Po përse nuk e aplikoi prej vitesh këtë ide, për të cilën edhe mund të bënte diçka për qytetin?

Përse duhej që Korça të kthehej “pëllëmbë e bujtinë“ (këtë me bujt nuk e kemi as të dialektit) dhe tani pronarët nuk dinë ç’të bëjnë me to?

Nuk mund të orientoheshin njerëzit, që Korça ka një kapacitet të caktuar shtretërish për turizëm dhe është e kotë të hidhen para për të ndërtuar me tepri bujtina dhe hotele?

Apo Bashkisë i mungonin programet kompjuterike për të llogaritur se a mund të mbahej qyteti me turizëm dhe tani të kujtohen për të hyrë në shekullin e XXI?

Pavarçsisht nga disa arritje, Korça është administruar keq në këto 10-12 vitet e fundit. Mungesa e një ideje të qartë për zhvillimin e saj ekonomik ka bërë që njerëzit të largohen vazhdimisht dhe qyteti të mpaket. Kjo ka qënë më e dëmshme se abuzimet që janë bërë me lejat e ndërtimit dhe të tjera përçudnime në pika të caktuara të qytetit. Nëse njerëzit dhe veçanërisht të rinjtë do gjenin punët që ju takojnë , qyteti do vibronte edhe pa investimet e bëra me kredi ose me paratë e taksapaguesve.

Ndaj si nuk kanë besuar të parët tanë se Stambolli është në Barç, kështu nuk ka si të besojmë edhe ne se do na e sjellin Silicon Valley-n në Qatrom!

No comments:

Post a Comment