Mënyra si funksionojnë partitë shqiptare më kujton një ngjarje komike, që më tregonte dikur një miku im gjatë një provimi në Shkollën e mesme ekonomike. Ishte provimi i Ekonomisë Politike të socializmit dhe kooperativistja, që përpiqej të zinte një vend pune si normiste apo llogaritare në kooperativën e saj nuk ja theshte shumë për t’u përgjigjur për tezën. Për ta kaluar, miku im i bëri pyetjen “Kush e ka pronë kooperativën? (ndryshimi mes pronës shtetërore dhe asaj kooperativiste). Pa një a dy ajo u përgjigj “Kryetari i kooperativës.” Duke mbajtur të qeshurën, profesori e pyeti “Po nënkryetari ka edhe ai ndonjëçikë?” E skuqur dhe në mëdyshje, nxënësja u përgjigj:”…po ka dhe ai ca.”
Edhe pse qesharake, përgjigja e kooperativistes përmbante një
të vërtetë të hidhur, që kooperativistët, ose pronarët e kooperativës ishin
pronarë vetëm në statut se gjithshka ishte në dorën e shtetit dhe përfaqësuesi i
shtetit (kryetari) bënte ç’i deshte qejfi, sidomos ata që ishin më arrogantë
dhe më batakçinj.
Tanimë, kur kooperativat janë harruar, ka disa forma të
tjera organizimi, që t’i sjellin ndërmend dhe që janë partitë politike. Sipas statuteve
dhe ato janë bashkime vullnetare njerëzish të barabartë rreth një programi
politik, që përpiqen të qeverisin vendin në gjithë nivelet e pushtetit. Aktualisht
ka tre parti të rëndësishme (ose më mirë dy e gjysëm) dhe të treja këto janë
pronë e kryetarëve. Rama, Berisha dhe Meta vendosin për çdo gjë dhe jo vetëm që
nuk ka vendime kolegjiale me një pjesëmarrje të gjërë, por as të tilla nga një
grup i kufizuar drejtuesish. Madje nuk ka as drejtuesa, por një dhe vetëm një-
KRYETARI. Rreth tij janë një grup me bufonë, që përsëritin fjalët e tij dhe që
mundohen të fitojnë simpatinë e tij në garë me lolot e tjerë. Më besnikët shpërblehen
me poste dhe të mira materiale.
Eshtë kjo pasojë e mendësisë patriarkale, e kohës së gjatë nën
Diktaturë apo nga një përzjerje e të dyjave, kjo është një fushë studimi gati e
pacak. Unë mendoj, që fatkeqsia jonë qëndron edhe në faktin e njerëzve të
caktuar, që arritën në krye të partive të kohës së pluralizmit. Nëse flasim për
ndikimin e Diktaturës, duhet të themi se Partia Socialiste, që ishte trashëgimtarja
e drejtpërdrejtë e Partisë së Punës, deri ë vitin 2003 kishte më shumë
kolegjialitet në vendime dhe garë brenda saj se partitë e tjera të formuara në
vitet e tranzicionit. Duke përjashtuar Ilir Metën, i cili krijoi një “parti
private” kur u përplas me Nanon, kontrolli i PD-së nga Berisha dhe i PS-së nga
Rama, vjen kryesisht nga mendjet e tyre djallëzore, që mund të përdorin çdo mënyrë
për të vënë nën kontroll një organizëm të mijra vetëve. Dhe këta të dy vijnë
nga formime krejt të ndryshme familjare. Nëse mund të themi që Berisha sjell
mendësinë patriarkale të zonës dhe familjes së tij, Rama është rritur në një
mjedis krejt tjetër shoqëror dhe familjar. Por të dy veç mendjeve perfide dhe “unit”
të pakufi, kanë edhe energji të pashtershme për të realizuar ambiciet që kanë,
ndaj dhe kemi arritur në këtë gjendje paradoksale, kur njerëzit vazhdimisht kërkojnë
të largohen nga Shqipëria.
A mund të sjellë e ardhmja monstra të tjera si këta të dy?
E vështirë të parashikohet.
No comments:
Post a Comment