Tuesday, 2 May 2023

Atdheu dhe identiteti i individit (2)


(vijim)

Duke folur për atë grup të madh të shqiptarëve që janë larguar në moshë të ndryshme nga trevat shqiptare them se një pjesë e mirë kanë kuptuar se sa i rëndësishëm është personaliteti vetiak i palidhur me atdheun dhe bashkëatdhetarët. E kanë ndjerë më së shumti ata , të cilët kanë jetuar në Greqi dhe në Itali, por edhe në vende të Europës Perëndimore, tani që është fuqizuar ajo që quhet “Mafia shqiptare”. Unë nuk mendoj se është e drejtë, që njerëz të zotë e të ndershëm, punëtorë dhe të paqtë të ndjejnë “barrën” e të qënit shqiptar apo nga Shqipëria, sepse mendjengushtët italianë apo grekë i fusin të gjithë në një kallëp apo se jo pak shqiptarë kanë kryer vepra jo të mira në vendet e sipërpërmendura.

Njeriu përfaqëson veten e tij dhe mban përgjegjësinë e tij personale për ato që bën dhe kjo nuk ka të bëjë as me fisin, as me krahinën dhe as me vendin nga vjen.

Nëse në një bisedë me një të huaj unë përmend me mburrje se filan shkrimtar i dëgjuar jetonte dy rrugë më poshtë se unë, por nuk bëzaj kur flitet për një kriminel të njohur , që rrinte në një pallat me mua, atëhere kjo është fund e krye hipokrizi dhe batakçillëk. Unë mundohem të shtoj “kredite” në vetevete duke përmendur të suksesshmit, por duke fshehur “zarbat”. Edhe njëherë e theksoj se kjo nuk ka të bëjë aspak me atë se cili jam unë. Unë jam shqiptar sepse flas shqip, jam shqiptar se vij nga dy prindër shqiptarë, jam shqiptar sepse kam jetuar një kohë të gjatë në Shqipëri dhe jam shqiptar se më mirë se çdo gjë tjetër në botë di të këndoj këngë shqiptare, të luaj valle shqiptare dhe të jem gjaknxehtë. Por për këtë nuk kam as pse të mburrem dhe as pse të turpërohem. Nuk kam as pse të ndjehem inferior ndaj një sërbi apo gjermani dhe as superior ndaj një ganezi dhe irlandezi. Dhe njëkohësisht as mos e lidh emrin tim me Gjergj Kastriotin dhe as me atë të Enver Hoxhës.

Nuk di nëse fëmijët shqiptarë, që kanë lindur në Perëndim, apo dhe ata që kanë shkuar atje të vegjël dhe kanë kaluar shumë vite kanë probleme të “krizës së identitetit”. Nëse janë shqiptarë apo gjermanë, shqiptarë apo anglezë dhe shqiptarë apo amerikanë. Ndoshta më të shumtit e tyre ndjehen shqiptaro-gjermanë, shqiptaro-anglezë dhe shqiptaro-amerikanë. Nuk ka asgjë të keqe dhe asgjë për t’u çuditur tek njerëzit që flasin apo kuptojnë mirë dy gjuhë. Me një fjalë atdheu mund të dyzohet, mund edhe të përzjehet si është në rastin e martesave mes njerëzve që vijnë nga kombe të ndryshme dhe fëmijëve të tyre.

Cështja e Atdheut ka edhe një ngarkesë negative, që ze fill në kohën kur u formuan një pjesë e mirë e kombeve. Ishin kohë të trazuara, kur shkëputja nga një Perandori apo nga një vend tjetër sundues bëhej me luftë. Ndaj edhe në himnet kombëtare të jo pak vendeve ka fjalët armiq, luftë, tradhëti. Ashtu si në vargjet e Hymnit tonë Kombëtar : “Prej lufte veç ai largohet/ Që është lindur tradhëtar…” Kënga që ne shqiptarëve na ngjall emocione, e ka përfunduar tanimë punën e saj, sepse në të nuk ka fjalët e domosdoshme Paqe, Dashuri, Vëllazëri, por “luftë, vdekje dhe tradhëti”. E gjitha është një ngarkesë negative për shekullin ku jetojmë. Lufta bëhet ndaj armiqve dhe si rrjedhojë armiqtë janë një ose disa kombe të tjera dhe kush nuk pranon të përfshihet në luftë ( pacifisti) nuk është gjë tjetër veç një tradhëtar i Atdheut. Prej këtu zë fill edhe një politikë e pashkruar e të qënit “nacionalisht korrekt”. Nëse mburr herë pas herë disa sërbë ose disa grekë je nacionalisht i dyshimtë dhe po ashtu je i tillë nëse dënon krimet që shqiptarët e Kosovës kanë bërë gjatë luftës së tyre apo në periudha të tjera.

(vijon)

No comments:

Post a Comment