Flitet shumë për Qytetin e serenatave, por pak përmenden bashkësitë rome dhe egjiptiane, të cilat kanë pasur një rol jo të vogël në zhvillimin e instrumentistëve dhe këngëtarëve korçarë. Në kohën e fëmijërisë dhe rinisë të brezit tim, mbi 90% të orkestrave të vogla ishin me pjestarë të këtyre bashkësive. Gjithashtu pjesa dërmuese e orkestrës frymore të qytetit ishte prej romësh dhe egjiptianësh, përfshi këtu edhe drejtuesin e saj. Estrada e qytetit kishte pasur vazhdimisht një orkestrinë të përbërë nga anëtarë të këtij komuniteti dhe për disa dhjetvjeçarë edhe dirigjentët e orkestrinës.
Nuk po përmend emra, se ndoshta një pjesë e mirë e tyre ende
ndjejnë përçmimin, që ka pasur bashkësia edhe pse e ka zënë me meritë vendin e
saj në muzikën e qytetit të Korçës.
Lagja e qytetit, ku jetonin këto dy bashkësi, ishte lagja më
e varfër, por dhe me shumë gaz dhe hare. Kur kaloje në të dëgjoje vazhdimisht
prej Pazarit dhe deri tek Fabrika e Fajancës, grupe që këndonin këngët e tyre të
veçanta, që kanë pasur diçka të përbashkët me ritmet e këngëve indiane të
filmave të Bollivudit. Pa dyshim që rrënjët e këtyre bashkësive janë në Indi. Në
ato kohë i quanim “këngët e evgjitëve”, por ndoshta sot duhet të përdoret një
term më i moderuar dhe që ta vret më pak veshin – mbase “këngët romishte”.
Një pjesë syresh i kishim më suar dhe i këndonim gjysëm me të
qeshur , për shkak të varfërisë së gjuhës së teksteve, ose një lloj mospërputhje
të ritmit të vrullshëm me tekstin pikëllues si tek “Të qan nëna o Baki/Të qan shoqëria…”
Ishte kjo qasje e çuditshme ndaj jetës, që nuk i linte asnjëherë
të shkurajoheshin, që na bënte t’I shihnim si të veçantë romët. Jetonin çastin
duke ngrënë brenda ditës paratë që kishin nxjerrë, duke kënduar dhe duke u
dehur, pa menduar shumë se çdo sillte e nesërmja. Dhe në ndryshim nga grupet
popullore të fshatrave, nuk bënin këngë me përmbajtje politike veç njërës, që
kishte një spërdredhje të pazakontë : “Të
rrojë Enveri, të rroj’ Partia/ Që na bëri me shtëpia/ Të rrojë Partia, të rrojë
Enveri/ Se Mehmeti deç na therri!”
Këngët romishte ishin kryesisht këngë dashurie, pabesish në
dashuri, braktisje të familjes dhe falje të gabimeve. E tillë ishte ndoshta e
gjithë bota e tyre. Si tek : “Të thirra
Nafije, /Po ti s’mu përgjigje/Fëmijët e tu po qajn’ me lot/ Kërkojn’ Nafijen s’e
gjejn’ dot/ Kërkojn’ Nafijen s’e gjejn’ dot/ Nafija iku dhe na la/ Moj Nafije
moj qejflijeeee…” Nuk ndjehej dëshpërim edhe në braktisjet, edhe kur qanin
me lot. Ritmi ishte i njëjtë, që të ftonte të kërceje e të gëzoje jetën. Në
ndryshim nga këngët e seranatave, kur autori me dhimbje qan se është braktisur,
romët e merrnin me qetësi edhe pabesinë si tek “Lagjen tënde u ispozova/ Me ty Mira s’përfundova/ Mira, Mira, Mira e
pabes’/ Mira , Mira un’ për ty do vdes!”
Këto ishin disa këngë të kohës sonë, që ende më bëjnë të
qesh kur më kujtohen ndërsa ngas makinën në rrugët e pafund të një vendi tjetër.
“Neve u ndam’ me dëshpërim/ Me syçkat
mbushura me lot’…”
No comments:
Post a Comment