Kështu e quanim mozaikun e Muzeut Kombëtar në kohën kur po realizohej. Nebiu (më ngjan me origjinë nga Kolonja) ishte artisti i mozaikëve dhe të tjerët ishin bashkuar për të krijuar kompozimin e një vepre veçanërisht të rëndësishme të karakterit monumental. Kur u zbulua, nuk na la ndonjë përshtypje si vepër arti, por ajo që vlerësohej ishte vështirësia për të realizuar një vepër të përmasave të tilla.
Në debatin e sotëm rreth restaurimit të tij, i mëshohet idesë
se veprat krijohen në një kohë të caktuar dhe për këtë arsye ,kur restaurohen
ju duhet ruajtur plotësisht natyra e tyre. Lihet mënjanë edhe cilësia artistike
si dhe mesazhi kryesor që përcjellin.
Për mua nuk do ishte problem, që mozaiku të restaurohej në
gjendjen fillestare nëse ishte në një mur mbajtës përgjatë një autostrade. Nuk
do prishte punë as ylli i madh, as ai në flamur dhe as libri i Historisë së
Partisë në dorën e punëtorit. Brezat e rinj dhe të huajt mund ta shihnin me
kureshtje dhe edhe mund të qeshnin me të. Por ai është në qendër të kryeqytetit
të Shqipërisë dhe njëkohësisht pjesë e Muzeut Historik Kombëtar. Për këtë arsye
jo vetëm çka u hoq u bë mirë (mendo një vepër monumentale në qendër të Berlinit
me swastika-n dhe me një ushtar që mban në dorë “Mein Kampf”), por i gjithë
mozaiku duhej të hiqej nga fasada.
Si vepër artistike, mozaiku vuan edhe nga konceptimi si një
vepre arti e gërshetuar me objektin arkitekturor. I ngjan më shumë një pikture në
një “billboard”, që shërben për reklamimin e një produkti. Vetë tonet
koloristike të veprës nuk kanë asnjë lidhje me ngjyrat e përdorura në Muzeu. Si
e tillë, do i shërbente arkitekturës së objektit një trajtim i ri i pjesës
murale ku është sot mozaiku. Mund të kishte një konkurs për rikonceptimin
arkitekturoro-artistik të fasadës kryesore të Muzeut.
Për arsye të koservimit të veprave të artit të çdo kohe,
mozaiku duhej të ringrihej në një kapanon gjigand, që mund të shërbejë si Muze i
Artit të Realizmit Socialist dhe ku mund të futen dhe të ekspozohen një pjesë e
veprave, që janë hequr nga piedestalet e tyre, ku mund të përfshihej edhe ndonjë
nga monumentet e realizuara mirë artistikisht të Hoxhës. Një lloj
Muzeu-ekspozitë i natyrës së tillë do kishte karakter studimor dhe do ngjallte
interes tek të gjithë ata që interesohen se ç’lloj denatyrimi merr arti në
vendet totalitare. Nuk do prishte punë edhe sikur disa nostalgjikë të shkonin e
ta shihnin herë pas here dhe t’i gëzoheshin Komandantit duke thënë: “Sa i bukur
ishte!”
Një Muze i tillë do shpëtonte nga “fshehja” shumë vepra arti
të një periudhe 40-vjeçare, e cila ka qënë periudha më prodhimtare në artet
figurative të Shqipërisë. Kjo për shkak të investimeve të mëdha të shtetit për
të nxjerrë artistë, që do krijonin vepra në shërbim të tij. Në të do ketë edhe
vepra artistikisht të arrira, mbase edhe kryevepra, sepse shumë artistë edhe
pse përballë kufizimeve ideologjike ishin në gjendje të krijonin art.
No comments:
Post a Comment