Redaktori im i përhershëm (shoku im më i mirë), Riku, më njoftoi se së shpejti do dalë nga shtypi përmbledhja ime me poezi, e titulluar “Flokët e Frejas”. Një rastësi disi e çuditshme, plot mall dhe e bukur se përkon me ditët e takimeve të para me miken time Ruth, të cilës i është kushtuar libri.
Përpos dyshimeve, ironive, stepjeve apo dhe përçmimeve të
dikujt (“Ky paska rrjedhur në pleqëri!”) unë vendosa të botoj një përmbledhje
të dytë pas asaj të para 15 viteve, e titulluar “Endem”. Për t’i dhënë kurajë
vetes kam menduar se është më mirë të botosh një libër me poezi, se sa të
humbasësh kohën duke u “përkëdhelur” pas njerëzve të fuqishëm, të cilët mund të
të futin në një bord, të të japin një honorar si këshilltar arkitekture në
këmbim të “thurrjes lavde” ndaj bëmave të tyre. Eshtë edhe më mirë se të kalosh
orë të tëra klubeve duke u ankuar për të këqijat e kësaj bote.
Të thurrurit e vargjeve (edhe pse jo i detyruar) më ka dhënë
kënaqësi dhe kur mendoj se edhe dy tre vetë të çdo moshe, do gjejnë diçka me
vlerë në to, diçka të ngjashme me ato që kanë ndjerë gjatë dashurive të tyre,
kjo ma shton ngazëllimin.
101 poezitë e përmbledhjes janë shkruar në periudhën
2014-2022 dhe një pjesë jo e vogël e tyre janë postuar në blog në kohën kur i kam
shkruar. Por ka edhe shumë të tjera, që nuk janë të njohura nga lexuesit e
blog-ut. Përgjithësisht janë lirika ose përsiatje rreth raporteve mes dashurisë
së njerëzve dhe universit. Tek to është “melodia” që troket brenda tëmthave të
mija, kur kam përjetime të fuqishme, ose kur i sjell ndërmend.
Më vjen keq që mikja ime Ruth nuk mund t’i lexojë dot. Ajo
flet një tjetër gjuhë.
No comments:
Post a Comment