Thursday, 4 May 2023

Atdheu dhe identiteti i individit (fund)


 (vijim)

Ka ende shumë njerëz, që mbrojnë idenë se kristalizimi i identitetit të shqiptarit u bë gjatë periudhës së Enver Hoxhës. Kjo tezë nuk është për tu hedhur plotësisht poshtë, sepse diktaturat nxisin nacionalizmin. Përgjithësisht e bëjnë diktaturat e djathta me parrullat e tyre “Atdhe, familje, fe”, por tek ne e bëri edhe diktatura e proletariatit nëpërmjet izolimit të plotë për të garantuar udhëheqjen e bandës së Hoxhës. Diktatura e tyre ishte një përzjerje e një autokracie ateiste, me një nacionalizëm ekstrem dhe shtypje të çdo të drejte, në të kundërt me internacionalizmin dhe mbrojtjen e të drejtave të të gjithëve, që kishin qënë në bazën e lëvizjes komuniste në fillimet e saj. Izolimi dhe “ekspozimi” ndaj armiqve të shumtë krijon një ide nacionalizmi dhe komuniteti të rremë, sepse pas hapjes ndaj botës sheh se sa absurd ka qënë situata e të “ndjerit shqiptar dhe të rëndësishëm”.

Për t’i shkuar pranë fundit të këtij shkrimi relativisht të gjatë, për një çështje që nuk mund të shterohet edhe nga dhjetra e dhjetra libra studiuesish seriozë, po shtoj disa rrjeshta rreth karakterit fluid të identitetit të individit.

Identiteti i individit nuk është diçka e përcaktuar që në lindjen e tij dhe varet shumë nga rrethanat e jetës së tij. Shumë vite më parë, duke qënë i formuar si një nacionalist i majtë nga Partia, duke biseduar me një kushërirën time, e cila kishte nënën shqiptare të lindur në Amerikë dhe të jatin italian të lindur po atje, unë i bëra pyetjen nëse ndjehej më shumë italiane apo shqiptare. Si e çuditur me pyetjen time, ajo më tha se ishte amerikane dhe nuk ndjehej aspak shqiptare apo italiane. Të qënit amerikane ishte një nga karakteristikat kryesore të identitetit të saj. Gjenetikisht nuk kishte aspak të bënte me shtetin e ri të kontinentit të ri.

Pra është e mundëshme të krijohet një identitet për qindramilion njerëz, që vijnë nga të gjitha qoshet e globit vetëm e vetëm sepse jetojnë në një hapësirë që quhet Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo Kanada. A është identiteti amerikan diçka e përcaktuar qartë apo thjesht një shënim në pashaportën e çdo nënshtetasi? Ka ndoshta disa million amerikanë, që nuk kuptojnë ose nuk flasin dot anglisht. Rikthimi në një gjendje të “globalizmit” (globalizmi mes pernadorive ka ekzistuar në kohën kur nuk kishte kombe-shtete) e bën më “lëvizshëm” dhe të papërcaktuar identitetin e individit të përcaktuar nga kombësia. Gjithnjë e më shumë kemi të bëjmë me amerikanë, europianë, afrikanë dhe aziatikë dhe kontinentet nuk janë “diçka që mund ta marrësh kudo me vete”. Për më tepër ka shumë fëmijë të lindur nga martesat midis racave të ndryshme dhe të tillë, që në genet e tyre kanë dhjetra e dhjetra përqindje parardhësish.

Po vjen një kohë, që “Atdheu” do jetë një adresë, që përcakton pikën e globit ku ke lindur, por asgjë më tepër. Dhe pa “zarba nacionalist”, që bëjnë çdo gjë në “emër të Atdheut”, njerëzit do luftojnë më pak mes tyre.

No comments:

Post a Comment