Monday, 15 May 2023

“Demokracia e kontrolluar”


Sigurisht , që Shqipëria është një vend demokratik. Ka qënë e tillë, që në krijimin e saj, pas Luftës së Parë Botërore. Nisi si një “demokraci monarkike”, vazhdoi si “demokraci proletare” dhe tani nuk është as “demokraci e pjesshme”, as “demokraci hibride”, por një “demokraci e kontrolluar”.

Themelet e kësaj demokracie u hodhën diku rreth vitit 1994, kur Berisha kërkonte me ndryshimin e Kushtetutës fuqi, që e kalonin edhe atë të një Republike presidenciale, por u çimentuan gjatë 10 vjetëve të sundimit të Ramës. Tani kemi me të vërtetë një “demokraci të kontrolluar”, e cila ka gjasa të qëndrojë gjatë në Shqipëri.

Faktori kryesor mendoj se është, që shoqëria shqiptare nuk është gati për një demokraci perëndimore. Mungon në një pjesë të mirë të njerëzve prirja për të dëgjuar tjetrin, për tu pajtuar me humbjen, për të mos u joshur nga pushteti, për të pranuar gabimet, për tu solidarizuar me më të dobëtin, për të jetuar në një vend ku sundon mendja dhe jo forca. Ndaj është shumë i përhapur korrupsioni, servilizmi, prirja për të bërë dallavera, nënshtrimi ndaj të pushtetshëmve dhe të fortëve. Eshtë kjo , që i ka dhënë dorë ngjitjes në majat e politikës të shumë njerëzve tepër të korruptuar dhe qëndrimit të gjatë në skenën politike të tre përfituesve më të mëdhenj nga korrupsioni.

Edi Rama dhe Sali Berisha janë dy njerëzit më tipikë, që nuk mund të qeverisin dot pa sunduar. Në mendjen e tyre (më e sigurt në subkoshiencën e tyre), qëndron figura e qeverisësit më jetëgjatë në Shqipëri, ajo e Enver Hoxhës. Dikur kam shkruar se Edi Rama është më i rrezikshëm se Berisha për shkak të moshës së tij më të re dhe kjo mbetet një e vërtetë e rëndësishme. Ai arriti me të gjitha mënyrat të kontrollojë plotësisht Partinë e tij dhe tanimë të gjithë jetën shqiptare.

Asgjë nuk ndodh më në Shqipëri pa dëshirën e Ramës!

Por në këtë kanë kontribuar të gjithë, prej “pasunarëve” intersaxhinj, mediave të shitura, të ashtuquajturve opozitarë dhe deri në OJQ-të dhe segmentet “ e pavarme” të pushtetit juridik. I janë nënshtruar për interesat e tyre nga ato madhore dhe deri tek më meskinet, një njeriu, i cili padashje edhe përdor fraza të Enver Hoxhës, kur e quan opozitën “një shportë me karavidhe”.

Ka kontribuar gjithashtu edhe i ashtuquajturi “elektorat gri”, i cili zgjedh të mos shkojë në zgjedhje se sa të përpiqet për të krijuar forca të reja politike apo të mbështesë figura të panjollosura si Arlind Qorri.

Por ky është tashmë realiteti shqiptar dhe ndaj realitetit nuk ke përse të revoltohesh nëse nuk je në gjendje të bësh përpjekje për ta ndrequr.

Mund të pajtohesh me të duke thënë: “Po normal, edhe unë po të isha në krye një demokraci të kontrolluar do dëshiroja të kisha!”

Me këtë thënie dëshmon që as kupton se ç’është demokracia dhe as ke dëshirë të jetosh në një sistem të tillë.

No comments:

Post a Comment