Saturday, 27 May 2023

“Soshëllistët” tanë nxitojnë të urojnë Kizingerin


Sot Henri Kizinger mbushi 100 vjet. Diçka e rrallë për një politikan dhe një njeri, që është mësuar të shijojë “qejfet” e kësaj jete. Edhe pse nuk jam ndonjë simpatizant i tij dhe i doktrinave të tij, përsëri gëzohem , që njerëzit që kanë kaluar “strese mendore” të arrijnë të kenë një jetë të gjatë.

Përvjetorin e tij jubilar e mësova nga socialistët tanë Rama dhe Ditmir Bushati, që nxituan të shprehnin entusiazmin e tyre për një politikan dhe diplomat tepër konservator. U mundova të gjej ndonjë artikull në gazetat e njohura amerikane, por nuk ka të tillë. Ne jemi gjithnjë më katolikë se Papa, më amerikanë se amerikanët dhe më Ruajalistë se britanikët. Ndoshta se mbartim kompleksin e provincialit, që do të tregohet se njeh dhe ka takuar njerëz të rëndësishëm gjatë jetës së tij.

Edhe pse i vlerësuar për përvojën e tij si politikan dhe diplomat, Kizingeri është një nga figurat më të errëta të jetës politke amerikane dhe nga ata që kanë ndikuar më shumë negativisht në ngjarjet politiko-shoqërore në botë. Pjesë e kabinetit të Niksonit për të dy mandatet e tij, ai ka kontribuar në strukturimin e politikave reaksionare dhe agresive ndaj Kilit, Kamboxhias, Laosit, Greqisë, Bangladeshit etj. Niksoni, bosi i tij, njihet si presidenti më i diskretituar amerikan, aq sa u braktis edhe nga senatorët republikanë dhe u detyrua të jepte dorëheqjen.

Vrapimi i “soshëllistave” shqiptarë është edhe njëherë një tregues , që filozofia e tyre nuk ka aspak të bëjë me social-demokracinë, por me ekonominë e ashpër të tregut dhe me drejtimet autoritare, të cilat predikonte Kizinger. Në kohën e grushtit të shtetit në Kili, ai shihte si rrezik përhapjen e “eurokomunizmit” të Berlinguerit dhe Marshesë, po njëlloj si despotët e Moskës apo Diktatorët e Kinës dhe Shqipërisë. Miqtë më të afërt të diplomatit të shquar nuk kanë qënë kurrë politikanët e njohur për koncepte të mirëfillta demokratike, por diktatorët e tipit Markos, Pinoshe etj.

Në rrethet e majta kudo në botë, Kizinger quhet deri në kriminel lufte, madje një rezolutë e shtruar në Parlamentin Zviceran për ta shpallur “non grata” nuk u miratua vetëm për pak vota. Kështu shihet në rrethet e Socialistëve Europianë (ku bëjnë pjesë edhe “soshëllistët” tanë), diplomati 100 vjeçar.

Megjithatë, Kizinger është ku e ku më i butë, se krimineli Enver Hoxha, për të cilin kanë ende simpati Ed Rama dhe Ditmir Sul Bushati.

No comments:

Post a Comment