Në shoqërinë shqiptare ekziston një mendësi, se Amerika është aleatja jonë dhe se “po të dojë“ mund të bëjë çudira për ne. Dhe në “çudirat” përfshihen nga “forcimi ekonomik”, tek “heqja e Ramës”, “krijimi i një elite politike të pakorruptueshme”, “mbështetja për bashkimin me Kosovën” e të tjera më pak të rëndësishme.
E para, ne jemi vetëshpallur si aleatë “kyç” të amerikanëve,
sepse historikisht jemi lëkundur nga një Fuqi e Madhe tek një tjetër. Bashkëqeverisës
me otomanët dhe më pas armiq të tyre, aleatë me austro-hungarezët dhe gjermanët
deri sa ata humbën luftërat botërore, vartës të Bashkimit Sovietik dhe më pas
aleatë të Kinës dhe pas viteve ’80, mbështetësit më të flakët të Shteteve të
Bashkuara të Amerikës.
Endërra se do ishim të privilegjuarit e shtetit më të fuqishëm
në botë u shfaq tragjikomikisht gjatë vizitës së Sekretarit Bejker, ku turmat i
puthnin makinën, si dhe gjatë vizitës së Bushit të vogël, kur e gjithë Europa
ose nuk e priste, ose e priste me demonstrata për shkak të luftës në Irak.
Ne harrojmë se jemi një vend i vogël dhe se “I gjithëfuqishmi”
(që sheh vetëm interesat e tij) do na kushtojë aq vëmendje sa na takon si një
vend i vogël që jemi. Për fat të mirë, interesat tona kombëtare përputhen me
interesat e SHBA-së në rajonin tonë, por ky është i vetmi avantazh. Dhe duhet të
mos harrojmë edhe se interesat e Amerikës nuk janë të pandryshueshme. Në varësi
të marëdhënieve me fuqitë e mëdha (veçanërisht me Rusinë) edhe raportet me ne
mund të ndryshojnë një ditë.
Në politikën e jashtme amerikane, interesat e SHBA mbizotërojnë
mbi gjithshka tjetër. Sigurisht mbi përhapjen e demokracisë apo mbrojtjen e të
drejtave dhe lirive të minoriteteve apo individit. Tek Shqipëria, Amerika do të
shohë një shtet të qëndrueshëm, që bën reforma dhe administrohet mirë dhe që dëgjon
thuajse çdo gjë që thotë Amerika. Dhe këto të treja janë kushtet themelore, të
cilat do i lejonte edhe sikur vendi të sundohet nga një autokrat, si Rama. Për
më tepër, mes politkanëve që ata njohin, nuk ka të tillë që të mos kenë prirje
autokratike dhe njëkohësisht të kenë mbështetje në elektorat. Nëse do kishte të
tillë patjetër që do i mbështesnin gradualisht deri sa të shihnin, që do ishin
kandidatë të mundshëm për të qënë kryeministra.
Edi Ramën nuk e kemi peshqesh nga Amerika. Madje një kohë amerikanët kishin dyshime ndaj tij për shkak të karakterit të paparashikueshëm dhe zërave se ishte përdorues kokaine. Mund të ketë qënë edhe kjo një nga arsyet, që Rama nuk e fitoi dot pushtetin më 2009 edhe pse drejtonte partinë me elektoratin më të madh. Se sa i rëndësishëm është kryeministri I Shqipërisë (dhe vetë Shqipëria) për Amerikën, e tregoi viti 2016, kur me mendjelehtësi Rama sulmoi kandidatin Trump në CNN gjatë fushatës elektorale. Një gafë e madhe politike dhe diplomatike, që nuk bëhet as nga politikanët më amatorë. E megjithatë, gjatë 4 viteve të presidencës të Trump nuk pati asnjë ndryshim në politikën e jashtme amerikane në lidhje me Shqipërinë apo ndonjë shënjë hakmarrjeje për Ramën. Në hartën gjeopolitike të SHBA, Shqipëria dhe kryeministri i saj kanë një vend fare të vogël.
(vijon)
No comments:
Post a Comment