Thursday, 11 May 2023

“Big Brother” dhe “Vagabondi”


Disa nga miqtë e mij të mençur në Shqipëri janë çuditur me “paralizimin” e jetës shqiptare në kohën kur transmetohej “Big Brother”. Gjithashtu edhe me “histerinë“ e shumë njerëzve, përfshirë edhe mediat, me veprimet e Luizit nga Shkodra dhe dashurinë e tij me Kiaran (shpresoj mos gaboj emrin e saj).

Unë nuk e kam shumë të qartë se si funksionon “Big Brother”, sepse asnjëherë nuk kam ndjekur ndonjë reality-show, por di që ndiqet në shumë e shumë vende të botës, si kjo shfaqje televizive ashtu edhe shumë të tjera të kësaj natyre. Dukuria ze fill në mesin e viteve ’90 dhe duket që publiku mbarëbotëror që ndjek televizionin ishte i lodhur me filmat, dokumentarët dhe varietetë, dhe kërkonte të shihte gjëra më pranë jetës të rëndomtë, të mbushura me thashetheme dhe palavira, për mos u ndjerë inferior, si mund të ndjehej kur shihte një film të moralshëm apo një shfaqje artistike yjesh.

Por tek ne, për shumë e shumë arsye, të cilat nuk jam në gjendje t’i hulumtoj, por besoj se janë varfëria morale dhe ajo kulturore, prirja për të ndjekur shfaqje të rëndomta është e hershme.

Filmi që është shfaqur më shumë herë në kinematë shqiptare në të gjitha kohërat është filmi indian “Vagabondi”.

Eshtë shfaqur me muaj të tërë në gjithë kinematë shqiptare në fundin e viteve ’50. Tregonte rreth një historie të rëndomtë dashurie mes Raxh Kapurit dhe Ritas dhe ka qënë një film veçanërisht i dobët artistikisht. Edhe pse në Shqipëri nuk lejoheshin filmat amerikanë, përsëri ka pasur plot filma europianë dhe sovjetikë, që renditen sot në 100 filmat më të mira të të gjitha kohëve, por nuk kishin as një të dhjetën e ndjekjes të historisë së Raxhit.

Ndaj nuk ka pse të çuditemi se pse u ndoq kaq shumë Raxhi nga Shkodra, që për më tepër është dhe shumë simpatik e ndoshta edhe i squt. (Nuk kam dëgjuar ndonjëherë ndonjë fjalë nga goja e tij.)

Realiteti shqiptar ka qënë i tillë dhe vazhdon të jetë i ngjashëm. E keqja është se për të bërë para nga reklamat, edhe institucionet e ashtuquajtura kulturore, tani vrapojnë rreth shfaqjeve të tilla, që ngrejnë në piedestal vulgun. Dhe vulgu i bën të ndjehen psikologjikisht mirë të gjithë, edhe të mençurit, sepse mund t’i krehin bishtin vetes e të thonë: “Eh sa lart jemi ne!”

No comments:

Post a Comment