Thursday, 25 May 2023

25 maj 1989


Mëngjesi ende nuk ishte ardhur, madje duhet të ishte diçka pas mezit të natës, kur u ngrita se nuk mbushesha dot me frymë. U lehtësova kur pashë se vështirësia në frymëmarrje më ishte shkaktuar se isha shtrënguar mes dy trupave të tjerë, edhe ata të veshur me kapota të trasha ushtarake. Dola nga çadra ku flinim përdhe, ne, oficerët rezervistë të brigadës së Mborjes. Qëndrova pak pranë një zjarri ende të ndezur, ku rrinin disa rezervistë të Ndërmarjes Metalike, duke menduar se a do më jepnin leje “të mëdhenjtë e brigadës”.

Ime shoqe ishte e shtruar në maternitet në pritje të fëmijës së dytë, ndërsa unë isha në grumbullimin vjetor ushtarak, në një pyll midis Gjonomadhit dhe Voskopojës. Më kishin ardhur në majë të hundës zboret, NATO-ja dhe Traktati i Varshavës, oficerët kokëkatrorë të Brigadës së Artilerisë, por ende nuk kisha kurajon e duhur për të zbritur në Korçë pa leje. Mund ta pësoja keq për “dezertim”.

Ishte një kohë kur flisnim kundër sistemit, por ende nuk ishim të bindur se nuk do e kishte të gjatë. Pas rrjeshtimit të mëngjesit, oficeri nga i cili varesha, më njoftoi se më kishin dhënë gjysëm dite leje dhe më darkë duhet të isha në vendgrumbullim. Ika me ngutje “si qen i lëshuar nga zinxhiri” dhe pas disa qindra metrave në një rrugë pylli dola në rrugën automobilistike. Vazhdoja teposhtë me nxitim, duke kthyer herë herë kokën në me shpresën e ndonjë makine, që do ma shkurtonte kohën për të arritur në maternitet. Kisha shqetësimin, që çdokush ka kur pret që gruaja të lindë. Asokohe, lindja e një fëmije ishte një proces gati misterioz për burrat, të cilët nuk lejoheshin të hynin në maternitet.

Për fat koha ishte e mirë edhe pse ende freskët dhe pas një ore e gjysëm arrita në maternitet. Para se të ikja ajo kishte qënë në një dhomë në katin e parë dhe përsëri në atë dritare trokita. “Të të rrojë vajza!” më tha një grua që më njohu. “Jot shoqe nuk është kthyer ende në dhomë, por është mirë!”

U qetësova, por nuk mund të them se u ngazëlleva. Do kisha dashur të ishte djalë. Nuk dija më se kë mund të pyesja për ndonjë hollësi ndaj shkova në shtëpi. Të mijtë, që e dinin se çdo gjë kishte shkuar mirë, më përqafuan dhe uruan dhe me ta i kalova dy- tre orë. Isha bërë për herë të dytë baba. Babai im do i vinte emrin Rezana më vonë dhe më pas ajo do bëhej dikush, që nuk do e ndërroja me asnjë djalë të kësaj bote.

Pasdite mora rrugën për t’u ngjitur në Voskopojë, me disa ushqime në çantë dhe dy shishe me raki për t’i pirë me kolegët, me të cilët flinim në një çadër dhe qeshnim me absurditetet e grumbullimeve ushtarake. Pas dy orëve arrita dhe u mblodhëm rreth zjarrit. 6 muaj më vonë do rrëzohej Muri i Berlinit.

Rezana kishte ardhur me këmbë të mbarë!

 

No comments:

Post a Comment