Tuesday, 30 May 2023

Amerika e gjithëfuqishme dhe ne (2)

 


(vijim)

Shpesh thuhet se ambasadorët amerikanë sillen si guvernatorë të Shqipërisë dhe jo si diplomatë. Deri diku kjo është e vërtetë, por për këtë përsëri nuk kemi përse t’ja u vemë fajin amerikanëve. Kjo gjendje është krijuar prej fillimit të viteve ’90, kur politikanët tanë kishin të njëjtën përshtypje se Amerika ishte “shkopi magjik” i çdo gjëje që ndodhte në Europë. Si në vitet e para të pasluftës, kur shumica dërmuese e komunistëve të kupolës ankoheshin për njëri tjetrin tek ambasadorët jugosllavë dhe sovjetikë, po ashtu u veprua gjatë viteve ’90. U rrëfye çdo gjë që ndodhte jo vetëm në sjelljet dhe prirjet politike , por dhe private të njëri tjetrit. Më pas, kur fituan përvojën e tyre dhe vizituan disa herë Shtetet e Bashkuara dhe e kishin më të qartë fuqinë, por dhe kufizimet e shtetit amerikan, ata u munduan të “reklamonin” lidhjet e tyre me politikanët amerikanë thjesht për opinionin e brendshëm, që mbetej po njëlloj “i mahnitur” nga forca dhe ndikimi amerikan në botë.

Ende sot vazhdojnë “mburrje” të tilla me foto me senatorët amerikanë, që ç’është e vërteta nuk kanë ndonjë gjë të jashtëzakonshme në dorë për politikën e jashtme, që është ezkluzivitet i ekzekutivit në Amerikë. Të tjerë njerëz të painformuar, si Spartak Ngjela e ndonjë tjetër, shpjegojnë nëpër ekranet shqiptare se ç’mund të bëjë Amerika, FBI-ja, CIA dhe institucionet e tjera të sigurisë amerikane për Shqipërinë dhe politikanët shqiptarë duke ekzagjeruar deri në marrëzi. Njerëzit, që nuk njohin organizimin e shtetit amerikan, kujtojnë vërtet se FBI-ja do verë dorë mbi Ramën a Veliajn, kur ky institucion merret vetëm me krimet federale, që ndodhin në Amerikë ose ndaj shtetasve amerikanë. CIA, por dhe shërbimet të tjera inteligjente nuk kanë aq personel që të merren me politikanët shqiptarë, kur ka qindra të tillë rusë, kinezë, brazilianë apo të vendeve të tjera të mëdha, që kanë edhe politika antiamerikane.

Po pse sillen ambasadorët amerikanë si “guvernatorë“ në një vend sovran?

Duhet thënë se për çdo diplomat karriere, Departamenti i Shtetit vlerëson se sa dëgjohet Amerika në jetën politike të një vendi të caktuar dhe se sa ndihmohen interesat amerikane në atë vend. Ndaj dhe jo rrallë shihet prirja e tyre për protagonizëm. Në rast se ambasadorët do ishin vërtet “guvernatorë“ pjesën dërmuese të tenderave të mëdha publike, apo sektorët e rëndësishëm ekonomike do ishin në duart e korporatave amerikane. Kjo nuk është aspak e vërtetë, se tek ne ka më shumë kompani turke dhe arabe se sa amerikane. Ka patur edhe disa raste që kompanitë amerikane janë nxjerrë pa të drejtë jashtë loje, gjë që ka bërë që ambasadorët të përpiqen të sqarojnë edhe ligjërisht këto probleme. Nxitja e bizneseve amerikane në Shqipëri është prioritet i punës së tyre dhe jo sjellja e demokracisë në Shqipëri apo krijimi i elitës politike.

Po sa duhet t’i dëgjojmë si shoqëri ambasadorët amerikanë dhe emisarët e tjerë të shtetit më të madh demokratik në botë?

Pa besuar se çdo gjë që del prej gojës së tyre është e kulluar dhe njëkohësisht pa shpresuar se ata kanë fuqi të rregullojnë çdo gjë që shkon keq në Shqipëri, nuk ka arsye, që të jemi dyshues ndaj tyre. Përvoja e miqësisë me ta, me ndonjë përjashtim të vogël, ka qënë shumë pozitive për shoqërinë shqiptare. Duke nisur me mbrojtjen e Mëvetësisë së saj nga Presidenti Uillson dhe duke vazhduar me shkollat e hapura nga misionarët amerikanë gjatë shekullit të XX-të dhe duke kulmuar me mbështetjen e armatosur që dhanë për të ndalur genocidin në Kosovë. Ne nuk jemi si vendet e Amerikës Latine apo Greqia dhe Turqia, ku amerikanët kanë mbështetur hapur forcat fashiste dhe kanë mbyllur sytë para krimeve të tyre. Ndaj s’ka përse mos jemi dashamirës dhe njëkohësisht të besojmë tek ta. Por besimi nuk duhet të jetë symbyllaz dhe t’i përulemi edhe në raste kur amerikanët kërkojnë të kryejmë veprime, të cilat cënojnë interesat tona në arenën ndërkombëtare. Një nga këto raste flagrante është pranimi në territorin shqiptar i opozitës iraniane MEK, që na armiqësoi me një vend të rëndësishëm si Irani dhe me të cilin nuk kemi asnjë dobi të prishemi, sikundër ndodhi vitin e kaluar kur dëbuam ambasadën e tyre.

(vijon)

No comments:

Post a Comment