E ndjej që po jap shpirt
Ndërsa pezull jam mes tokës dhe erës.
Degët e kërleshura të panjës,
Gota e përmbysur e verës
Dhe melodia e dasmës,
Diku në një sallë mjerane
Nuk mund të më mbajnë më lidhur.
As kujtimi i hidhur
Si tingëllim i përmortshëm këmbane
S’më mban dot në fund të këtij deti ajri.
Më patën mësuar të mos bëja të Ikarusit marri
Për t’ju qasur diellit.
Por pa liri,
Pa marrë dot fluturime,
Nuk mund ta ndrydh dot shpirtin
Brenda qënies sime.
Ndaj ai gjen më të shkurtrën udhë
Për të dalë prej meje,
Të lerë trupin të nderë,
Pa më të voglën rrudhë
Për të fundit larje gati.
E ndërsa ai nuk di se për ku do ja mbajë,
Një tokë me gurë përzjerë do jetë shtrati
Për të mbeturin trupin tim,
Mbi të cilin dikush do qajë,
Pa kuptuar se trupi nuk jam unë.
Unë jam shpirti që doli mes buzësh,
Në ditën që e fundit quhet,
Por e fundit s’është
Dhe hapësirave kam për t’u endur
Deri sa misterisht të shkrihem
Në të një komete bisht,
A në një fjalë ende të pagjetur.
No comments:
Post a Comment