Kumar është një fjalë turke, që përdoret në të njëjtin kuptim, si e përdorim edhe ne në shqip. Pra e kemi marrë nga pushtuesit turq, bashkë me shumë tarbiete të tjera jo të mira. Ilirët nuk luanin lojrat e fatit dhe po ashtu Skënderbeu ka refuzuar të luajë, veç lojës së “dorës së fortë“, në të cilën ishte i sigurt që fitonte. Në shqip nuk ka një fjalë të vetme, por ka vite që është përshtatur togfjalëshi “lojërat e fatit”, që në të vërtetë më parë ka pasur një kuptim të ndryshëm. Kishte të bënte me rrjedhën e papritur që sjell jeta dhe jo me zaret, letrat e bixhozit apo makinat elektronike.
Nuk dihet me saktësi nga e kanë marrë turqit, por mbase nga
sanksrishtja, ku “kumar” ka kuptimin fëmijë mashkull dhe dihet që në kohët e
Mesjetës dhe deri vonë, në trevat e Perandorisë Turke luanin vetëm meshkujt.
Nuk ka të dhëna nëse në haremet e Sulltanit dhe të pashallarëve luhej kumar
mesh hanëmeve për të shtyrë kohën.
Por le t’i lemë otomanët në punët e tyre dhe të flasim për
kumarin në Korçë. Një i apasionuar pas shahut, kur e kam pyetur se pse në Korçë
nuk ka patur asnjëherë shahistë të nivelit të lartë kombëtar, më dha përgjigje:
“Në Korçë luhej shumë kumar dhe lorëra me
letra, si pokeri, ndaj dhe shahu asnjëherë nuk pati masivitetin dhe cilësinë e
duhur!” Edhe pse shpjegimi i tij mund të mos jetë i plotë, përsëri mund të
ketë një farë të drejte, sepse edhe lojërat me letra kanë një angazhim të fortë
të mendjes dhe kujtesës, ndaj tërheqja prej tyre ka bërë që shumë mendje
“matematikanësh” të mos i kushtonin rëndësi shahut. (E them mendje
matematikanësh sepse në lojërat me letra ka shumë të bëjë përllogaritja e
mundësive për kombinime të caktuara fituese, apo për të luajtur një letër të
caktuar në një çast të caktuar.)
Arsyet , që në Korçë është luajtur më shumë kumar se në
qytetet e tjera mund të jenë disa, por unë mendoj se kryesorja ka qënë
emigracioni. Ka qënë krahina që ka pasur më shumë emigracion dhe kuptohet që
djemtë e rinj, pas punëve të rënda në kurbet janë dhënë edhe pas kumarit në
konakët e tyre apo edhe nëpër kazinotë e mëdha dhe të vogla të vendeve si
Turqia, Greqia, Amerika etj. Nëpër ato vende kanë mësuar edhe lojëra që nuk i
njihnin në fshatrat e tyre apo në qytet.
Në kohën e Zogut kumari ishte i ndaluar, por lejohej rreth një
javë në kohën e ndërrimit të viteve. Gjithashtu xhandarët mbase mbyllnin nga një
sy sepse luhej edhe në kafene të caktuara dhe këtë e dinte gjithë qyteti. Ishte
traditë në shumicën e familjeve, që kur festonin gjatë ditëve të Vitit të Ri,
pas darkës festive të “hapnin edhe letrat e të luanin pllakaq”. Për më të
shumtët e fëmijëve korçarë (meshkuj) kështu është bërë pagëzimi i parë me
kumarin. Në mjedis familjar me xhaxhallarë dhe kushërinj duke vënë fasule mbi
një pjesë letrash përmbys, dhe në varësi të madhësisë së letrës mund të
dyfishonin fasulet e vëna nëse e kishin më të madh se të “ustait”. “Ustai”
ishte ai që ndante letrat në pjesë, nga një ose dy sipas kërkesës së atyre që
do vinin “bastet “ e tyre dhe ishte më i favorizuari, sepse në rast barazimi të
letrës së tij me letrën e lojtarit, “ustai” fitonte. Rregulli nuk lejonte
“usta” të përhershëm, por çdo lojtar që kishte As në “pllakën” e tij do ishte
“ustai” i rradhës.
E njëjta traditë vazhdoi edhe në vitet e Diktaturës, kur jo
vetëm që kumari ndalohej me ligj, por kishte edhe shumë raste, që grupe njerëzish
arrestoheshin dhe dënoheshin deri në dy vite burg. Kishte edhe raste, që “kumarxhinjve”
ju shtoheshin edhe akuza të tjera , si “agjitacion dhe propagandë“, por nuk mund
të thuhet se ata që luanin rregullisht kumar ishin disidentë. Kishte edhe shumë
anëtarë partie, që i pëlqenin lojërat me letra, zare apo baste të llojeve të
ndryshme. Ishte një dukuri që hasej në 99% të rasteve tek meshkujt, por kishte
edhe ndonjë femër, që luante. Më të shpeshta ishin këto lojëra tek njerëzit që
njiheshin për natyrat e tyre konkuruese, si tek artistët dhe sportistët, por kjo
nuk përjashtonte edhe njerëz nga të gjitha fushat e jetës dhe kryesisht tek ata
sektorë, që sillnin të ardhura shumëfish nga rrogat e zakonshme.
Vetë nuk e kujtoj kohën se kur u “pagëzova” me ritin e “vënies bast”
mbi një grup letrash përmbys, por e di që ka ndodhur në shtëpinë e tezes sime
rreth kohës së Vitit të Ri dhe këmbimi dhjetë
lekëve me 10 fasule, të cilat me siguri i kam humbur shpejt, ishte hyrja në botën
mëkatare të “klasifikimit të letrave”, “ të dëshirës për të hamendësuar me
shpresë fitimi”, “të pritjes me rritje të adrenalinës dhe trokthit të pulsit se
ç’farë do shfaqej” dhe më pas “të përpjekjes për të kontrolluar emocionet”.
Një “botë e fëlliqur”?
E megjithatë rrotullohet!
No comments:
Post a Comment