Ajo ishte e qetë. Veçanërisht e qetë. Ndoshta kjo ishte arsyeja, që nuk kishte rrudha në fytyrë. Flokët i kishte të thinjura, por nuk kishte rrudha edhe pse dukej që ishte e shkuar në moshë. Gjithnjë duke u kujdesur për një nip apo mbesë të vogël. E veshur me të zeza dhe me flokët e lidhur pas kokës. Nuk kujtoj nëse ishte një lloj gërsheti që mbahej me “mashka” përreth vëllimit të rregullt të kokës së saj. Të gjithë e thërrisnin Mamo. Dukej sikur ishte mëma e të gjithëve. E të mëdhenjve dhe të vegjëlve. Mund të shkoje dhe ti rrëfeje për një hall që bluaje dhe të të dëgjonte me qetësi e të të jepte shpresë.
Ishte lindur në një nga fshatrat e veçantë të rrëzës, dhe
ishte martuar në fshatin tjetër të ngjashëm. Thuhej se ato dy fshatra ishin
ngritur në thellësitë e shekujve nga të rinj të ardhur nga jugu i Polonisë. Banorët
flisnin veç shqipes edhe një gjuhë tjetër që të tjerët e quanin bullgarçe, por
ndonëse një dialekt sllav, ndoshta nuk ishte tamam sllavishtja e bullgarëve. Ishte
martuar tek Stavret e Asdrenit me nipin e tij. I shoqi kishte kohë që kishte
vdekur. E kishte lënë me 7 fëmijë. Djemtë i kishte gjithnjë pranë vetes. Edhe të
martuar dhe me fëmijë. Të bijat vinin dhe e shikonin, ndoshta më shumë për të
gjetur mbështetje në mirësinë e saj. Nuk ankohej kurrë. Priste të tjerët të
vinin e të ankoheshin tek ajo dhe t’ju lehtësonte plagët. Ishte një lloj
melhemi njerëzor.
Në dimër, kur kthehesha nga shkolla dhe nuk kisha çelësin e
apartamentit, trokisja në derën e saj dhe Mamoja më merrte në apartamentin e
saj të madh. Rrija e prisja i mbështjellë nga një qetësi dhe prehje, ndërsa ajo
kujdesej që nipi i vogël mos zgjohej nga gjumi. Ishte një qetësi e qashtër, me
një dritë të pastër që vinte nga dera e madhe e ballkonit në veri. Një qetësi
shekullore që të bënte të ndjeheshe i përjetshëm dhe jashtë çdo rreziku.
Nuk e kujtoj kur iku Mamoja për të mos u kthyer më. As se si
iku. Ndoshta me të njëjtën qetësi, si kishte jetuar. E rrethuar nga dashuria e
shumtë, që kishte dhënë. Në mendje herë herë më vijnë vargjet, që ndoshta i thurrte
vetë ndërsa vinte të nipin të luante me një lepur llastiku në dhomën tonë të
ndenies. Ishin vargje të thjeshta të një shqipeje të pastër:
Lepur je po ç’je!
Lepur jam po ç’jam!
Ke veshë apo s’ke?
Kam, po nuku s’kam?!
No comments:
Post a Comment