Duket si e palogjikshme të kërkosh një marëdhënie mes besimtarëve të krishterë ortodoksë dhe komunistëve, por historia jonë dhe ajo e vendeve të tjera të Europës Lindore ka treguar se nuk është një kërkim tërësisht absurd. Nuk ka pse të kërkosh rregulla ose ligjësi, sepse historia e komunistëve shqiptarë është një histori e shkurtër dhe njëkohësisht shumë e çuditshme, ndaj duhet të jetë e vështirë për tu krahasuar me bullgarët, rusët, grekët, rumunët apo sërbët dhe maqedonasit.
Komunistët shqiptarë ishin komunistë shqiptarë dhe ndoshta
pjesa më e madhe e tyre nuk ishte e ndërgjegjshme se ç’ishte komunizmi dhe nëse
vuloste ky botkuptim identitetin e tyre. Në këtë shënim dua të merrem kryesisht
me komunistët që u bënë me vetdije të tillë, pa u marrë pushteti nga Partia
Komuniste Shqiptare.
Në Historinë zyrtare të përpunuar disa herë nga Instituti i Nexhmijes,
komunizmi në Shqipëri quhet “ i hyrë“ me formimin e Grupit Komunist të Korçës më
1929. Deri në atë kohë kishte patur parti dhe organizata të majta si “Partia e
Popullit” dhe “Bashkimi”, por nuk bëhej fjalë për njerëz me pikpamje të mirëfillta
komuniste. Të parët që i thanë vetes “jemi komunistë“ ishin një tufë me të rinj
korçarë, të cilët kishin bërë nga pak kurbet dhe dinin se ç’ndodhte në rrethet
e punëtorëve në vendet e zhvilluara të botës. Thuajse asnjëri prej tyre nuk
kishte qënë komunist “i pagëzuar” në ndonjë parti të madhe europiane. Asnjë
prej tyre nuk kishte qënë në Bashkimin Sovjetik. Ishin bërë komunistë duke
lexuar gazetat dhe “literaturën komuniste”, që kishte sjellë Sotir Vullkani
fshehurazi. Nuk është shumë e qartë se në ç’gjuhë ishte “literatura” dhe kush
ja u përkthente se këpucari Miha Lako, hekurxhiu Pilo Peristeri, Titanët,
gurgdhëndësi Kiço Shamblli dhe shumë komunistë të tjerë të Grupit Komunist të
Korçës nuk dinin ndonjë gjuhë të huaj.
Komunistët e Korçës ishin një lloj “prototipi” se si do
ishin më vonë shumica e komunistëve shqiptarë. Njerëz me pak shkollë, me shumë
pak dije rreth filozofisë dhe ideologjisë komuniste, ndaj dhe lehtësisht të përdorshëm
nga krerët e tyre. Bije në sy se thuajse të gjithë ishin nga familje të
krishtera ortodokse edhe pse Korça kishte gjysmën e popullsisë të fesë
myslimane. Duket që më shumë se një organizatë, Grupi Komunist ishte një lloj “tarafi”
miqsh dhe kushërisnjsh të lidhur më shumë nga afëria e dyqaneve dhe shtëpive. Ishte
që në formim tepër i mbyllur që binte në kundërshtim me internacionalizmin
proletar, se nuk ishte në gjendje as të “hapej” në lagjet e tjera të qytetit e
jo më në viset e tjera shqiptare. Vërtet që ndikonte fakti që propaganda komuniste
dënohej me ligj, por regjimi i Zogut nuk ishte një diktaturë e mirëfilltë e
djathtë dhe ligji nuk parashikonte dënime të rënda për të pasur një lloj “izolimi”
të tillë.
Në vitet ’30 komunistët korçarë e shtrinë ndikimin e tyre në
disa organizata si “Shoqëria Puna” dhe “Rinia Korçare”, e para e natyrës
sindikaliste dhe e dyta kulturore-sportive. E para arriti të fitonte edhe shumë
vende në këshillin bashkiak në zgjedhjet e vitit 1937 dhe si rrjedhojë Koçi Xoxe
i Grupit Komunist u zgjodh nënkryetar i Bashkisë së Korçës. Tek e dyta, një
pjesë e mirë e anëtarëve ishin kthyer në “ateistë“ dhe ishin të vendosur të mos
“vinin kurorë“ kur të martoheshin dhe mos pagëzonin fëmijët. Vetëm ndonjë
individ i veçantë e mbajti premtimin, se gjithë të tjerët nën trysninë e
familjeve u martuan me prift dhe i pagëzuan fëmijët.
(vijon)