Në kohën e “studentllëkut”, kur punoja nën Pirro Thomon për
të rilevuar ndërtimet e vjetra të Korçës, më vinte keq, që në vitet ’20 të
shekullit të kaluar, betoni i armuar thuajse nuk kishte hyrë në ndërtimet në
qytet. Ishte një material, i cili thuajse i vetëm, përcaktoi arkitekturën
moderne dhe i dha asaj dimensione dhe forma të pahasura më parë.
Por si gjithmonë, “kur kalohet masa” edhe ky material bazë i
ndërtimeve të 150 viteve të fundit, shpesh herë për shkak të dominimit në vepër,
i ktheu këto të fundit shpesh herë në “monstra”. Një pjesë e mirë e veprave të
arkitekturës konstruktiviste dhe thuajse të gjitha ato të arkitekturës
brutaliste, pasi në momentet e para u përshëndetën si “shprehje të reja të formave
dhe ideve arkitekturore”, mbetën dëshmi të një “teprimi marrok profesional”.
Nuk ka pse të shkosh shumë larg nga Korça, por vetëm të
shikosh me vëmendje disa nga veprat e viteve ’60 në Shkup dhe mund të bindesh,
se do të ishte më mirë mos ishin ndërtuar.
Për ndërtimet me parafabrikate në Tiranë a gjetkë as mund të
flitet, se ato me zor mund të kualifikohen vepra arkitekturore.
Cuditërisht në Korçën e sotme po rikthehen disa modele të
“betonit brutalist”, si e kam ripërsëritur deri në bezdi në dhjetra shkrime të
mija rreth ndërtimeve të reja publike në qytet.
Prirja tjetër për restaurim ose për mbështetje në arkitekturën
tradicionale korçare jo vetëm ka qënë e sukseshme, por i ka shtuar jo pak
hijeshinë qytetit.
Edhe përpjekjet për një arkitekturë post-moderne edhe pse më
të pakta përsëri duhen përshëndetur pavarësisht kufizimeve të tyre. Për shkak të
rrethanave natyrore , tek ne është gjithnjë më e leverdishme të ndërtosh me
skelet betoni se sa me ato metalikë apo të drunjtë.
Por pse kur është kaq e qartë vazhdojnë të ndërtohen vepra
“brutaliste’?
Kaq i padiskutueshëm është autoriteti profesional i Pitë
Uillsën, i cili për fatin tonë të keq, ka shije të prapambetura për kohën tonë?
E ndërtuar tashmë një Kullë, që të kujton një çelës englez,
në themelet një hotel që ngjan me një çelës papagall betoni, një kub ishëmtuar
betoni pranë shtëpisë së Ilove, në projekt një stacion autubozush, që të kujton
një raportor betoni dhe transformimi bunkerial i Bibliotekës së Kolevicës.
Duke mos u mjaftuar me kaq, përreth, Bashkisë së Re të
bunkerizuar, po i mbathen edhe “një palë benevrekë betoni, në formën e një
avllie mbrojtëse”.
Krejt si një deklaratë e bujshme “pa benevrekë prej betoni
nuk do lemë asnjë ndërtim!”
Ka një arsye të thellë, se pse arkitektura korçare ka qënë
racionale dhe fine.
E tillë është natyra e korçarit. I mençur , punëtor, i përmbajtur dhe delikat. Mund
të ndërtosh objekte që klithin në Labëri dhe Mallakastër, por jo në Korçë, ku
të gjithë priren drejt harmonisë dhe të arsyeshmes.
Punë për fabrikat e betonit ka pasur e do ketë. Eshtë
materiali bazë në ndërtim.
Por jo betoni klithës dhe i shëmtuar i Pitër Uillsonit.
No comments:
Post a Comment