Wednesday, 18 October 2017

Për t’i hyrë në thellësi problemit

E kam menduar thellë këto dy ditë punën e kushërinjve Saimir Tahiri dhe Habilajve dhe kam arritur në përfundimin se i gjithë faji është i Mondit nga Panariti.
Eshtë pikërisht veterineri Edmond Panariti, që si Ministër i Bujqësisë, e la fermerin shqiptar të pakëshilluar, të paorientuar dhe bile të përmbytyr.
C’mund të bënte për katër vjet me rradhë i pakëshilluari, i paorientuari dhe bile i përmbytyri fermer?
Sigurisht që do i qepej kodrave dhe maleve për t’i bërë ato pjellore si edhe fushat, bile edhe të papërmbytyra për shkak të pjerrësisë të terrenit.
Dhe me se mund të blerohen më shpejt dhe më mirë kodrat e malet, që t’ju ngjasin fushave të papërmbytyra?
Vetëm me bimën magjike – Kanabisin.
Dhe Ministrija e Bujqësisë jo vetëm nuk i orientoji dhe këshilloji fermerët. që kjo punë është pak “si me zarar”, por nuk siguroi as tregje shitje për mollët dhe qepët e pakta që kishin dhe as e çau kokën të organizonte festivalin e Mollës, panairin e Qepujkave apo samitin e Kungulleshkave, veprimtari këto, që janë planifikuar vetëm këtë vjeshtë.
Në këtë mes, Habilajt dhe të tjerët si ta janë vetëm ndërmjetësa. Ata njohin kërkesën e tregut perëndimor për kanabis, dinë edhe që kodrave dhe maleve, tashmë pjellore si edhe fushat, ka kanabis të paketuar dhe e blenë sipas gjithë rregullave të tregut më lirë dhe e shesin më shtrenjtë.
Po qe se Edmond Panariti do kishte bërë punën e tij do mbillnin fermerët kanabis?
Afërmendsh që jo.
Po qe se fermerët nuk do kishin mbjellë kanabis do shpinin dot Habilajt kanabis në Itali?
Sigurisht që lendet!
E ç’hyn Saimir Tahiri në këtë mes?!
Këtë gjë, për të cilën unë e kam vrarë mendjen 48 orë rrjesht e ka kuptuar prej kohësh Edi Rama, njeriu i vetëm që mund ta bëjë Shqipërinë, po qe se do citoj një profesoreshën time të nderuar dhe politikisht të pavarur.
Dhe fakti është që po e bën.
Për këtë vuri në krye të Ministrisë së Bujqësisë Nikon tonë, që ka patur sukses si Kryetar Bashkije dhe si zëvendës kryeministër. Se mund ta mbante prapë si zëvendës, po kush do ishte në gjendje të këshillonte dhe orientonte fermerët?
Fshatari Taulant Balla? Bah…Shumë i shturrur nga goja.
Erion Braçeja? Bah…shumë i shkurtër për të kontrolluar arat me misër.
Vetëm Nikoja jonë mund të bisedojë shtruar me fermerët dhe t’ju bëjë të qartë se e ardhmja e tyre është në kiwit dhe bananet dhe jo në kanabisi.
Vetëm i joni Niko mund të gërshetojë turizmin bujqësor me shërbimin e specializuar veterinar, për të arritur, që në kodrat tona të kemi jo vetëm dhen e dhi, po lama, gamile dhe deri në tapirë.

Do vijë një ditë, që të gjithë ne të moshuarit të themi me plot gojë “Po të isha 20 vjeç do të shkoja me plot dëshirë të punoja dhe të jetoja në fshatin tonë të rilindur nga Partia Socialiste!”

No comments:

Post a Comment