Wednesday, 11 October 2017

Arroganca dhe nervozizmi i Ramës ndaj Europës

Intervistat me gazetarë seriozë, i nervozojnë politikanët dhe sidomos ata, që quhen “thin-skinned”, që në shqip figurativisht do e përktheja “hidhen përpjetë sa i pickon pleshti”. Tipiku është Donald Trump, por jo i pakët ka qënë edhe Silvio Berluskoni e deri diku edhe Sarkozi.
Kryeministri jonë, gjatë një interviste dhënë gazetës austriake “Standart”, ka dëshmuar, se edhe pa “peshën politike” të tre të sipërpërmëndurve, mund të reagojë me arrogancë dhe nervozizëm ndaj pyetjeve, të cilat e venë në positë të vështirë.
Esshtë interesante se në fillimet e tij si kryeministër, ai sillej me tepri si europian, bile edhe duke u vetëquajtur “skandinav”, ndërsa tani po shfaq gjithnjë e më shumë karakteristikat e një sunduesi të Lindjes, të modelit Erdogan, që gjithë të këqijat i sheh në Europa.
“ Ju racistët e Europës!”; “Ju të pandershmit europianë(non-fair)!”; “Ju mosmbajtësit e premtimeve!”: e të tjera thirrje histerike si këto, ndjehen kur lexon intervistën.
A është kjo shenjë e padurimit të një deliranti apo mënyra klasike e mbrojtjes duke sulmuar?
A është kjo mënyra me të cilën Rama i drejtohet Mogherinit dhe komisionerit Hahn, apo akoma më tej kancelares Merkel?
Disa suksese në paraqitjen e tij në skenën ndërkombëtare, si marëdhëniet me Merkelin, shfaqja tek manifestimi kundër masakrës të “Charlie Hebdo”,  i kanë krijuar bindjen Ramës, se ai është një Prijës  i një niveli të lartë me një vend të vogël. Ndaj i duket e çuditshme se si një gazetë e huaj mund ta verë para “gjyqit të pyetjeve”.
Problemi i vetëm i tij është se jo të gjithë, dhe jo gjithnjë mund të befasohen nga “ekzibizionizmi politik” i Edi Ramës. Për arritjet e një qeverie, kriteri i vetëm vlerësues për shtypin e huaj,është gjendja ekonomiko-politke e vendit dhe ndikimi i tij negativ apo pozitiv në rajon.
Dhe për hir të së vërtetës, gazeta austriake nuk është “e ashpër” me gënjeshtrat e Ramës.
Kryeministri gënjen kur thotë kemi ngritur Pallatin e Ri të Drejtësisë sepse ende nuk ka hedhur as themelet e tij.
Kryeministri gënjen kur thotë, se kanabis mbillej më shumë para tij, por raportet mbaheshin sekret.
Kryenistri gënjen kur thotë, se ka qënë lider i lëvizjes antikomuniste.
Kryeminstri gjithashtu gënjen kur thotë se Ruci është gjykuar për 4 prillin, ka dalë i pafajshëm dhe nuk ka pse të hetohet brenda PS-së.
Ishin këto vetëm disa nga gënjeshtrat e Ramës, për të cilat nuk pati pyetje pasuese nga gazeta, që do e nervozonin akoma më tepër kryeministrin shqiptar.
Ballkani ka qënë dhe mbetet në situata politke tepër të brishta, për shkak të historisë tij të pëplasjes të etnive, korrupsionit të klasave politke dhe ndikimeve të fuqive më të mëdha të huaja.
Qeverisja e Ramës, po e bën çdo ditë e më tepër, jo pozitiv rolin e Shqipërisë në Ballkan.
Inkurajimi i krimit dhe përfsirja në të e politkanëve është rrezik për gjithë rajonin, se këtu po përqëndrohen rrugët e trafikut të drogës.
Flirtimi i hapur me Turqinë e Erdoganit dhe acarimi me Greqinë anëtare të BE-së është një tjetër cilësi e pahasur më parë në qeveritë shqiptare.
Rama është para një provimi të madh në Europë dhe e di, që vetëm me batutat, me premtimet dhe me akrobacitë diplomatike nuk mund ta kalojë. Duhen arritje dhe këto, për fat të keq të Shqipërisë, mungojnë.
Ndaj dhe provon edhe “gurët e fundit” të arrogancës dhe të “shantazhit me unione më të vogla”, për të pasur edhe një kapërcim provimi me notën “mjaftueshëm”.
E ardmja e Shqipërisë është në Europë, se ashtu duan shqiptarët!
Por Europa nuk duron dot arrogancën e Gramoz Ruçit, sepse nuk është as Partia Socialiste dhe as Parlamenti Shqiptar.

Në Europë hyet si europian dhe për të qënë i tillë nuk mjafton vetëm të mbathësh atlete Adidas.

No comments:

Post a Comment