Një deklaratë e pardjeshme e zonjës Topalli, e botuar në disa
gazeta shqiptare, është sinteza më e mirë e gjendjes së Demokracisë në tre
partitë kryesore shqiptare. Ish Kryetarja e Kuvendit tha pak a shumë: “Po të dojë(ose deshte) Berisha, e hiqte Bashën nga
kryetar për 24 orë!”
Nuk ka rëndësi nëse ajo çka tha Jozefina është plotësisht e
vërtetë, pjesërisht e vërtetë apo e pavërtetë. E keqja kryesore është, se
dikush, që ka pasur një post të lartë në parti dhe shtet(dhe ka treguar
personalisht shenja të një autoritarizmi të tepruar) pranon se ka punuar dhe
mund të vazhdojë të punojë në një organizëm, në të cilin ka vetëm rëndësi Njëshi
dhe jo Demokracia! Pohimi i saj ka të bëjë jo thjesht me Berishën, por vetë me
Topallin dhe të tjerët si ajo, të cilët kanë ndihmuar në rritjen alarmante të fuqisë
së Njëshit brenda partisë.
E njëjta dukuri ndodh rëndom me përfaqësues të partive të
tjera. Ata as nuk përpiqen ta fshehin adhurimin ndaj Njëshit, duke e quajtut
“Skënderbe”, si bën Spiropali, apo duke i uruar “qeverisje jetëgjatë sa ajo e
Enver Hoxhës”, sikundër bëri Erion Veliaj.
Për partinë private të çiftit Meta-Kokëdhima nuk vlen të përmendet
fjala Demokraci apo kolegjialitet, apo konkurim idesh.
Për fat të keq, në njerëzit e angazhuar në politikë, “nënshtrimi”
ndaj Njëshit është ku e ku më keq se në vitin 1992. Edhe pse të dalë nga
Diktatura, ideja për paritet, mendim të lirë, fitoren e ideve të shumicës,
lejimi i ideve të të tjerëve, ishin ku e ku më mirë se sot.
Nëse një akademik si Artan Fuga, nuk ju drejtohet hapur dhe
me emra kolegëve të tij për reformimin e Akademisë së Shkencve, por ja kërkon
kryeministrit, atëhere tregon se mendërisht po kthehemi në kohën, kur i
shkruhej Enver Hoxhës, për të vënë dorë në këtë apo atë fushë të jetës.
Për të shkuar më në bazë, nëse një oficer policije, nuk ka
miq e shokë të tij për të luftuar veprimet e kundërligjshme të eprorëve, por për
këtë i shkruan Sali Berishës, atëhere mendërisht po kthehemi në kohën, kur
kryetarët e kooperativave “kallzoheshin” nga kooperativistët për shkeljet e
tyre me letra anonime drejtuar Partisë.
Por kjo nis
me Jozefinën, Elisan, Erionin dhe shkon në të gjitha shtresat më poshtë deri sa
arrihet në “fatalitetin”, se “hallet mund të na i zgjidhë vetëm Kryetari ose Kryeministri”!
Demokracinë e ke shkelmuar vetë Jozefinë, kur në vend të
mbyllje séancën për të mos diskretituar kryeministrin gjysëm të dehur, ju
thirre gardistëve “merreni mër prej zhelesh at’!”, që debatonte me Njëshin tënd!”
Atë ditë “shkelmove” veten, pavarësisht se e ndjeve disa
vite më vonë!
Ndaj më mirë, se të quash si fakt të kryer “forcën e Berishës
për të hequr në 24 orë Bashën”, thënie me të cilën sërish i bën keq Demokracisë,
është më mirë të mendohesh thellë se përse kemi arritur deri këtu dhe të
pranosh edhe ato faje që ke!
Sa për Fugën, do e quaja një përpjekje të dëshpëruar për të
bërë diçka të mirë për Shqipërinë edhe pse padashur forcon figurën e të
Plotfuqishmit Rama!
Në fund të fundit edhe në kohën e Skënderbeut nuk kishte
Demokraci!
No comments:
Post a Comment