Kur ishim fëmijë, cilësori “minoritar” kishte një kuptim më
tepër gjeografik se etnik. Dihej, që minoritari ishte grek, por kjo nuk përfshinte
të gjithë grekët, që jetonin në Korçë, por vetëm ata me origjinë nga Dropulli
ose nga zona e Sarandës. “Shulet” nuk i quanim minoritarë por thjesht shule.
Njerëzit e tjerë, që flisnin gjuhë të tjera veç shqipes i quanim kurbetë ose çobenë.
Tani të gjithë janë minoritarë.
Parlamenti posa ka përcaktuar si minoritet edhe atë bullgar.
Kjo do të thotë, që gjithë drenovarët dhe boboshtarët tashmë të quhen
minoriteti bullgar.
Një pjesë e tyre vërtet kishin trashëguar gjurmë të një
gjuhe të vjetër sllave, rreth të cilës ekzistonte dhe një rrëfenjë, për 20 çifte
të rinjsh, që kishin ardhur nga jugu i Polonisë dhe kishin formuar dy fshatrat.
Dhe këtë e kam dëgjuar nga inxhinier Kuneshka, që ishte edhe boboshtar, edhe njeri
i mençur, edhe shumë i ndershëm.
Tani në Shqipëri, me ligj quhen 9 minoritete. Në Korçë ka të
paktën 6 syresh. Ai arumun, grek, maqedonas, egjiptian, rom dhe tani edhe
bullgari. Po qe se arumuni ndahet si ka qënë
tradicionalisht, në të Plasës, Voskopojës, Korçës dhe sarakaçanë, numuri i
minoriteteve arrin në 10.
(Edhe mes oparakëve qarkullon një teori, që janë
Vorio-oparakë, për të fituar ndonjë pashaportë europiane. Polenakët kanë kohë të
paisur me pashaporta greke.)
Unë ndjehem 100% shqiptar se vetëm këtë gjuhë më kanë mësuar.
Edhe pse mund të paisem me pashaportë turke, nuk di asnjë
llaf turqisht veç atyre që kanë hyrë në gjuhën shqipe. Edhe Kapllan Tefiku, që
ishte i fundit turqishtfolës në Korçë tani duhet të jetë në moshë shumë të
shtyrë dhe i paaftë të ngrerë komunitet. Stambollinjtë ka kohë, që janë larguar
nga jeta.
Jam arnaut sagllam.
Ndaj edhe në minoritet.
No comments:
Post a Comment