Tuesday, 17 October 2017

Ah sikur ta dinte Rama!

Reagimi i fundit i kryeminstrit Rama ndaj çështjes Tahiri- Habilaj të le pa mend!
Jo vetëm që nuk është në nivelin e një deklarate të një kryeministri, por as edhe të një nëpunësi më të ulët në një shtet normal.
Edi Rama bile nuk arrin dot as të fshehë “shokun” që ka marrë nga leximi i bisedës midis dy kriminelëve të drogës , ku zihet në gojë emir i ministrit të tij të Brendshëm. “E neveritshme dhe shokuese” shkruan Rama , sa të duket sikur gati klith “po këta idiotë nuk e dinë akoma, që nuk duhen zënë në gojë emra në telefon?!”
Jo më larg se një vit më parë, me gjithë denoncimet në shtyp, me gjithë “këshillimet” nga aleati i tij Meta, me gjithë akuzat e hapura të opozitës, kryeministri Rama e kishte Tahirin krahun e tij të djathtë dhe hapur flitej për rivalitetin e Tahirit me Veliajn, si pasardhësit e mundshëm të Ramës në krye të PS-së, pas dy ose më shumë dekadave.
Po ç’farë nuk dinte Rama rreth Tahirit, që e bën sot të shtiret si i çuditur?
Nuk e dinte Rama, që Tahiri ishte takuar personalisht me një kriminel si Durim Bani, t’i kërkonte detaje për çështjen e atentatit ndaj Tom Doshit? Vetëm për këtë lloj takimi, Ministri i Brendshëm i një vendi normal shkarkohet.
Nuk e dinte Rama, se një officer policie, që kërkonte strehim politik në Zvicër, i quajtur Dritan Zagani, akuzonte me emra dhe fakte klanin e Tahirit në përfshirjen e trafikut të kanabisit? Vetëm për këtë gjë, në një vend normal, Ministri i Brendshëm jep dorëheqjen për t’i hapur rrugën një hetimi jo nën trysni.
Nuk e dinte Rama, që një pjesë e mirë e territorit të Shqipërisë ishte e mbjellë me kanabis dhe zyrtarë të lartë të policisë ishin përfshirë në të? Në Europën ku duam të hyjmë, për diçka më të vogël se kaq Ministri shkarkohet dhe ndiqet penalisht për mosveprim ndaj krimit.
Nuk e dinte Rama, që në zyrën e Ministrit të Brendshëm ishte vendosur paisje përgjimi?
Një Ministër që nuk ruan dot zyrën e tij, nuk mund të rrijë më në punë për të mbrojtur rendin për gjithë qytetarët.
Por paralajmërimet, që i bënin vetë Ramës të huajt rreth Tahirit dhe që janë përmendur në shtypin shqiptar nuk i dinte Rama?
Kryeministri jonë nuk ka pse të bëhet më tej qesharak.
Ai nuk ka më autoritetin moral të drjtojë vendin nëse Saimir Tahiri arrestohet.
Askush nuk beson në përrallën “Ah sikur ta dija unë!”

As vetë Elisa Spiropali, që mund të tregojë ndonjë legjendë moderne me Skënderbeun e tradh[tuar nga Hamzaj!

No comments:

Post a Comment