Friday, 6 October 2017

Mblidhen katër familjet e krimit

Gjatë zhvillimit të ndeshjes Spanjë - Shqipëri, kur vëmendja e opinionit publik dhe e policisë ishte në Kombëtarja në Alikante, në Petrelë janë mbledhur përfaqësuesit kryesorë të katër familjeve të krimit.
Tema e mbledhjes – si të reagojmë ndaj deklaratave të papërgjegjshme të ambasadorit Lu.
Vendi i mbledhjes dihet, tema e mbledhjes gjithashtu dihet, po se cilat janë familjet nuk dihet. Ambasadori, që e di nuk e thotë. Qeveria nuk e thotë se bën sikur se di.  Opozita di tre nga familjet se i ka të sajat, po nuk di të katërtën, që t’ja nxjerrë bojën. Mediat e kanë bërë çorbë se kanë botuar hamëndje gazetarësh, analistësh dhe historianësh, që e kanë çorbavitur mendjen e miletit.
Një gazetar ishte i sigurt se janë familjet Hoxha, Shehu, Kapo dhe Alija.
Një analist akoma më kompetent i vuri vulën se janë familjet Berisha, Meta, Rama dhe Basha. Nano shpëton se ka krijuar familje të re.
Ish shefi i SHISH-it, Fatos Klosi pranon ekzistencën e klaneve, por nuk i quan familje.
Historiani Pëllumb Xhufi shkon më thellë në familjet Vërlaci, Merlika, Kryeziu dhe Kupi, ndërsa Moikom Zeqoja nuk jep emra familjesh, por përjshton Kastriotët, Muzakat, Dukagjinët dhe Topiajt.
E megjithkëtë, katër familjet u mblodhën dhe diskutuan gjërë e gjatë se si të reagojnë ndaj ndaj Lu-së, edhe për të mos u acaruar me Amerikën, por edhe për të mos treguar dobësi, që do të thotë, që tregun shqiptar ta pushtojnë menjëerë pesë familjet kosovare të krimit.
Ideja e hedhur nga një përfaësues gjaknxehtë “të vrasim Lu-në“ u hodh menjëherë poshtë, pasi u sqarua përfaqësuesi, që nuk duhej ngatërruar koreano-amerikani Lu me armikun e Trump, koreanin Kim Jong Un.
Edhe ideja tjetër. për të treguar forcën duke hedhur në erë Qendrën Tregëtare të Zamirit të Bitijes, nuk u pranua, se “Zamiri o çun përsmari, qi ka pagu detyrimet!”
Nuk u pranua as linja e e heshtjes së plotë, por konsensusi u arrit, në idenë e “dorëzimit të një peshku të madh” nga ata të 20 familjeve vasale.
“Kështu ene Lu-së i mbyllet goja, ene i gjati del i nerum, ene Tik Llalla mush i dosje t’modhe.”
“Peshku i Madh”, që do i dorëzohet së shpejti qverisë, ka inicialet S.T. dhe arrestimi pritet të bëjë bujë të madhe.
Mund të ndodhë disa ditë para mbledhjes së dy qeverive shqiptare në Korçë, për të mos prishur imazhin e mbledhjes së hapur të atyre që luftojnë me gjithë shpirt krimin.

No comments:

Post a Comment