Duket si një premtim i mbajtur, në një “përshëndetje të
Pionierëve të Ramë-Veliajt” në një Kongres të Fshehtë të Ndërtuesve të mëdhenj,
gjatë fushatës elektorale të këtij viti, se sa për premtimim ndaj zgjedhësve
tiranas në fushatën vendore ishte krejt i kundërt.
Por tani janë premtuar qiellgërvishtëse dhe qiellgërvishtëse
do bëhen! Përderi sa të “mbretërojë“ Princi i Arbërisë Rama dhe “delfini” i tij
Lal Eri!
Nëse do krahasojmë Tiranën me 4 qytete europianë, të një
madhësie të ngjashme, si Zurihu, Torino, Shkupi dhe Selaniku, që tani, Tirana
ka jo vetëm numurin më të madh të qiellgërvishtësve, por planifikon të ndërtojë
edhe dhjetra të tjera.
Në Zyrih, edhe pse nën trysninë e kërkesave të shumëkombësheve
finanaciare, deri para disa vitesh nuk lejohej të ndërtohej mbi lartësinë 40
metra (12-13 kate), ndërsa edhe tani, që lejohet deri në 80 metra, vetëm në zonën
industriale të tij.
Kufizime të më të forta kanë Torinoja dhe Selanik. Por edhe
në Shkup, ku mund të mendohet se politikanët dhe ndërtuesit punojnë në të njëjtin
sinkronizim si tek ne, projektimet stërmëdha
dhe të shtrenjta nën okielon “Skopje 2014” janë orientuar drejt parqeve,
monumenteve dhe gjallërimit të zonave historike, në një “kiç nacionalist”
absurd si e kanë quajtur kritikët, por që nga pikëpamja urbanistike është më
pak i dëmshëme se “kullëzimi “ i Tiranës, që po ndodh në periudhën Veliaj.
Ka dy mundësi, që “investitorët” të miklohen nga ideja e ndërtimit
të qiellgërvishtësve, pa qënë grup i fuqishëm investitorësh dhe në një vend, ku
popullsia sa vjen dhe zvogëlohet.
E para është mundësia e ngjashmërisë në mentalitetin e
investitorëve në Tiranë me ata të Las Vegasit të viteve ’60, kur tentohej “të
ndërtoj më bukur dhe më lart se rivali”. Dhe dihet se kazinot e Las Vegasit u
ndërtuan kryesisht me paratë e krimit të organizuar dhe më të shumtëtë e krerëve
mafiozë ksihin ego të mëdha po pak shkollim.
Mundësia e dytë, është mungesa e plotë e informacionit
ekonomiko-demografik, e ngjashme me kohën e bumit të ndërtimit të banesave, që i
bën investitorët të mendojnë se “qiellgërvishtësja” e tyre mund t’i “kullufitë“
të tjerat nëpërmjet konkurencës dhe pas “bumit” të kalohet në rregullore të
tjera urbanistike, të cilat ndalojnë ndërtimet shumë të larta. Edhe pse nuk
tingëllon shumë e logjikshme, paqëndryeshmëria e Ramës në raport me urbanistikën
e Tiranës, ndalimi për 3 vjet i lejave të ndërtimit, ndryshimi disa herë i
planit rregullues ju jep kurajë investitorëve klientëtë tij të mendojnë “sa të
kemi shefin, rregullat i bëjmë si duam ne”.
Por kush mund ta ndalojë revanin e Ramës dhe Veliajt në
lejimin e vëllimeve stërmëdha prej betoni apo edhe prej xhami, që e dëmtojnë
hapësirën e kryeqytetit, që dëmtojnë edhe ekonominë e tij dhe e bëjnë edhe më
tej një nga kryeqytetet europiane me kushtet më pak të mira për të jetuar?
Zëri i urbanistëve dhe arkitektëve shqiptarë është thuajse tërësisht
i fashitur. Disa nga “arkitektët me akses” të hershëm, vazhdojnë të bëjnë
“ingranazhin lidhës” mes investitorëve, Bashkisë dhe arkitektëve të huaj të Ramës,
Stefano Boeri dhe Peter Wilson.
Profesionistët e tjerë të punësuar në Bashkinë e Tiranës apo
në qeveri, luajnë “duartrokitësin shpjegues” për veprat e “papame” të arkitektëve
të huaj.
Opozita është shumë “
e kujdesshme” në çështjet e urbanistikë-ndërtimit, se ka gjynahet e veta dhe të
njëjtit klientë-investitorë.
Të vetmit kritikë të palëkundur mbeten Fatos Lubonja dhe Gentian
Kaprata, por vetëm me dy zëra, sado të fuqishëm, nuk mund të përballet fronti “i
përbindshëm” Qeveri-Bashki- Investitorë.
Amatorizmi i shoqëruar
me korrupsion të madh, është formula më adekuate për shkatërrimin e
urbanistikës së qendrave të banuara. Dhe në Tiranë këto dy përbërës të kësaj
formule janë tashmë të kristalizuar.
A ka ende mundësi për të ndalur “pionierët e Ramës”?
Asnjëherë nuk është vonë për tu ngritur e mbrojtur “ajrin
dhe diellin” që i takon çdo qytetari.
No comments:
Post a Comment