Thursday, 12 October 2017

Burrat – maniakë seksualë.

Dje ishte Dita Ndërkombëtare e Vajzave. Nuk e dija se kishte një ditë kremtimi të tillë, si dhe nuk di arsyet pse është krijuar. Më duken absurde edhe Dita e Nënës apo ajo e Babait, se dashurinë për prindërit dhe fëmijët nuk ka ditë, që ta nxerë.
Mu kujtuan ditët e para 20 viteve, kur më pyesnin për vendimin që kisha marrë dhe në përgjigjen që jepja përmendja “Ti le këtu çupat, që nesër t’i shtien në dorë X dhe Y!” dhe përmendja disa emra banditësh, të cilët detyronin me forcë vajzat adoleshente të hynin në makinat e tyre, në atë vit, kur shteti mungonte krejtësisht.
Por problemi i “rritjes në maksimum i libidos” nuk është vetëm problem banditësh dhe as veçanërisht shqiptar. Një pjesë e mirë e njerëzve me pushtet ekonomik apo politik, kthehen në maniakë seksualë dhe duan të flenë me çdo femër, që “ja u ha syri”.
Rasti i këtyre ditëve i producentit të Hollivudit Weinstein është një nga pikat e ujit të oqeanit të “grabitqarëve të seksit”. Vjet, këtë psikologji të meshkujve me pushtet Trump i vënë para një rregjistrimi të turpshëm e quajti “muhabete të dhomave të zhveshjes”, ose të tjerë e quajnë “biseda në servisi i makinave”, për t’ju shmangur të vërtetës, që janë dëshira të sëmura gati gati kanibaliste.
Në shoqëritë më të prapambetura, kur femra shihet vetëm si objekt seksi dhe harrohet, që është edhe vajzë, edhe motër edhe bashkëshorte edhe shoqe pune, dëshira pët “të shtënë në dorë“ jo vetëm nuk fshihet, por tregohet si shenjë e një maskiliteti potent.
Edhe pse të ekzagjeruara ndonjëherë, në Shqipëri dëgjoje histori nga më të pështirat me burra të pasur ose me pozitë, që abuzonin me gratë në nevojë.
Njerëz të shëmtuar fizikisht dhe shpirtërisht, të cilët në një botë të lirë do e kishin të vështirë të gjenin partnere, tregoheshin me gisht si Kazanovat e tranzicionit shqiptar.
Një drejtor shkolle, me një fytyrë tmerrësisht të kuqe dhe me dhëmbë gjysëm të rënë që në rini, kërkonte të flinte me çdo mësuese të re që i vinte në shkollë duke përdorur presione apo fjalë të “ëmbla që të kallnin krupën”. Disa më nevojtaret apo edhe më të tremburat arrinte t’i thyente dhe kënaqte kompleksin e tij të sëmurë.
Një biznesmen, jo më i gjatë se 1 metër e gjysëm, që për herë të parë kishte puthur kur ishte 28 vjeç, shtinte në dorë pjesën dërmuese të grave , që punonin për të.
Një funksionar i një kompanie publike, ju kërkonte të gjitha nëpunëseve të bukura, të shkonin në fund të orarit në zyrën e tij, “për të diskutuar shifrat e kompanisë“.
Dhe raste të tilla janë me qindra.
Grabitqarët manjakë të seksit, kur nuk ja arrijnë t’ja dalin dot në biznes, merren me politikë, si mënyra më e sigurt, për të “hequr mbërthejckat” e studenteve, të posamartuarave deri ato të gjimnazisteve.
Shumicae tyre janë të martuar, kanë edhe vajza.
Ndoshta edhe e dinë, që ekziston një Ditë Ndërkombëtare e tyre.

Dita, kur është mirë, që disa maniakë seksualë të kastrohen publikisht!

No comments:

Post a Comment