Aleksandra ja la shtëpinë qytetit të Korçës. Duhet të ketë qënë
edhe dëshira e burrit të saj të vyer, Tashko Ilos. Tani, në oborrin ku ata
kishin mbjellë pjergulla, një pjeshkë dhe një fik, si dhe shumë lule, po ndërtohet
diçka, që është larg asaj, që do dëshëronin. Dy korçarë të ndershëm, që kishin
jetuar në Vienë dhe Bukuresht dhe që e kishin ndjekur me dashuri dhe përkushtim
projektin e hartuar në Rumani. Për ta ndërtuar folenë e fundit të jetës së tyre
në qytetin e lindjes.
Por Ilot ja dhuruan qytetit shtëpinë e tyre dhe ndoshta në
aktin e dhurimit nuk ka asnjë kusht, se çduhej të bëhej me të.
Tani i përket qytetit, dhe kur themi qyteti mendojmë Bashkinë,
dhe kur mendojmë Bashkinë mendojmë Raqkën, dhe kur mendojmë Raqkën, mendja menjëherë
na shkon në Niko Peleshi.
Shtëpia e Ilove edhe për disa vite do i përkasë Nikos.
Nuk di nëse nëpër shtëpi vërtitet ende hija e Aleksandrës.
Edhe nëse ndodh kështu, ajo ishte shumë e përmbajtur, e logjikshme dhe jo
violente. Kështu duhet të jetë edhe hija e saj.
Se kisha idene se si ishte gjendja e saj financiare në vitet
’80, kur e vizitova dy tre herë shtëpinë, por kujtoj, që bënte një jetë të përkorë,
me shpenzime të kontrolluara mirë, pa asnjë harxhim të tepërt. Ndërsa më
tregonte kuzhinën e saj të madhe, më tregonte edhe ç’ka konservonte në një
aradhe vazosh qelqi, që i mbyllte mirë për të rezistuar sa më gjatë.
Në 27 nëntor të këtij viti, në shtëpinë e saj do bëhet
mbledhja e dy qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës.
Atje ku kaloi pjesën më të madhe të jetës, nikoqireja e
shkolluar, që nuk donte të shpinte asgjë dëm, tani do mblidhen “për hallet e
Kombit” një tufë me hajdutë, së bashku me ndihmësat e tyre.
Dhe do bëjnë sikur habiten me historinë e dhurimit të shtëpisë
dhe patriotizmin e pastër të Ilove.
Mes tyre, “tuxhari korruptues” Behgjet Pacolli, i cili është
qytetar nderi i Korçës. ndërsa asnjë nga Ilot nuk e ka merituar diçka të tillë
as edhe pas vdekjes.
Mes tyre gjirokastriti Ahmetaj, që nuk është aspak i
kursyer, për të hapur kasafortën e shtetit, sa herë do të futë duart Rama për
vete dhe për miqtë e tij.
Mes tyre, është edhe Ramushi, që nuk dihet nëse doli kaçak
thjesht për patriotizëm apo për të rrëmbyer e vrarë , sikundër ka mijra vjet, që
bëhet në anët tona.
Mes tyre është edhe Rama pa “ush”, por që për hir të Shqipërisë
ngjan se është më lakmitari nga të gjithë.
Këta dhe një tufë me sejmenë, do shtiren në shtëpinë e
Aleksandrës se do bëjnë realitet ëndrrën e Ilove dhe të tjerëve si ta.
Pa e ditur se cila ishte ëndrra e tyre!
Ilot ëndërronin se në Korçën e tyre mund të sillnin pak Vienë,
pak Gjenevë dhe pak Bukuresht. Sepse e donin vendin e tyre dhe se nuk mund të
parasikonin dot se ç’monstra do dilnin pas viteve ’40 në Shqipëri.
Nëse hanë e pinë në pushimin e mbledhjes, hokatarët banalë të
të dy qeverive mund të tallen lirshëm me çiftin, që nuk pati fëmijë, me jetën e
tyre seksuale, me “marrinë“ për të ndërtuar në Shqipëri.
Batutat e pështira të Ramës mund të gajasin Xhaçkën,
Peleshin, Manastirliun dhe të tjerë “begunë“ të kësaj ane dhe anës tjetër të
Qafës së Morinës.
Zaten gjëja më e lehtë dhe më e natyrshme është, që
“pragmatistët” dhe hajdutëtë të qeshin me idealistët dhe fisnikët.
Por ndoshta në Korçë kanë mbetur ende shpirtra kalorsiakë, që
mbrojnë të pastrën dhe të bukurën e thjeshtë, që ndeshej tek Ilot dhe të tjerët
si ta.
Ndershmërinë dhe respektin ndaj rregullave, që e bënë Korçën
të ngrihej mbi të tjerët.
Dhe të guxojnë e t’ju thonë:
-
Të dashur lapangjozë mblidhuni në një vend tjetër për
mbledhjen-shfaqje tuajën!
Kini plot salla.
Edhe mund të ndërtoni një të re me miqtë tuaj dhe 20% t’i
futni në xhep!
Lereni atë shtëpi fisnikësh në papërlyeshmërinë e saj!
Tingëllon patetike, por besoni edhe ju një çast të vetëm në
Hijet e Bukura!
No comments:
Post a Comment