Friday, 27 October 2017

“Liseu” dhe pushtimi francez

Eshtë interesante se si e interpretojmë dhe e kemi të ngulitur në kokë historinë. Festimet e 100 vjetorit të Liceut Francez, që qëlluan një ditë pas festimit të “Clirimit të Korçës” nga pushtuesit gjermanë janë dëshmi e qartë se historia është gjithnjë jo vetëm e vagët, por në më të shumtën e rasteve e keqinterpretuar.
Korçarët kanë vërtet një ndienjë të fortë adhurimi për “Liseun”. Dhe me të drejtë(në mënyrë absurde e shkrojta këtë fjali sepse një ndienjë e fortë dashurie, që jeton më shumë se një shekull nuk mund të mos ketë në bazë të mirën dhe të drejtën). Liceu Francez solli shkollimin perëndimor në Korçë, në një nivel shumë më të lartë se shkollat greke, që ekzistonin deri në atë kohë. Për shkak të tij (por edhe të 5 viteve që francezët qëndruan në zonën e Korçës) qytetarët filluan deri edhe të përdornin fjalë dhe shprehje frënge si “merci”, “pardon”, “au revoir”, “soire”, “manteau” dhe të tjera, shprehje që mbetën në përdorim deri në vitet ’60 të shekullit të kaluar. Kishte edhe anekdota rreth përdorimit të tyre të pavend, nga të pashkolluarit.
Gjithsesi francezët ishin një ushtri e huaj. Askush nuk i kishte ftuar në krahinën e Korçës dhe nami i ushtrisë franceze dhe sidomos legjioneve të huaja te huaja te saj nuk ishte i nje ushtrie "engjejsh". Në kohën , kur shteti shqiptar ishte më tepër se “rakitik”, francezët nuk kishte pse të qenë më miqësorë se austro-hungarezët ose italianët. Për më tepër, si mund të verifikohet edhe nga emrat e ushtarëve francezë të vrarë, në Varrezat e Francezëve, shumica e tyre ishin nga kolonitë e Francës.
Vërtet ka një kulmim në shpalljen e Republikës autonome të Korçës, në dhjetor 1916, që është në favor të çështjes shqiptare, por nuk duhet harruar, që francezët pushkatuan tinëzisht Themistokli Gërmenjin, patriotin më të madh korçar. Bashkë me të mori fund edhe Republika Shqiptare e Korçës nën protektoriatin francez.
Popullsia korçare ishte përgjithësisht neutrale ndaj Fuqive të Mëdha. Kishte brenda qytetit ndjenja kontradiktore ndaj grekëve. Një pjesë jo e vogël ishin grekomanë edhe pse nuk dinin veçse dy-tre fjalë greqisht. Gjithsesi flitet për kohë të turbullta, kur edhe vetë ideja e Pavarësisë së Shqipërisë ishte e mjegullt. Edhe francezët ishin shumë të dyzuar në mbështetjen apo jo të grekëve për çështjen e Vorio- Epirit.
Por nëse bëjmë krahasim me Luftën e Vlorës, që ishte kundër ushtrisë italiane, që ende kontrollonte një pjesë të Jugut të Shqipërisë, rreth saj flitet si betejë ndaj pushtuesit, ndërsa jo të njëjtat terma përdoren për ushtrinë franceze, që qëndroi në Korçë deri ne vitin 1920.
Gjithsesi, Korça trashëgoi prej tyre Liceun Francez(Kombëtar), që ishte institucioni arsimor më i mirë i vendit për 22 vjet. Liceu ndikoi shumë në kulturën e qytetit.
Por edhe pse aleatë me Anglinë në Luftën e Parë Botërore, edukimi francez në Lice përcillte një frymë anti-anglosaksone. Ajo ishte e rrënjosur në historinë e Francës dhe sidomos në atë të Revolucionit Francez dhe të kohës së Napoleonit, ku Anglia kishte luajtur një rol të madh “reaksionar”. Nuk kishte si mos përcillej kjo frymë në studentët adoleshentë të Liceut.
Ndaj ndonëse me lidhje të forta me Amerikën, korçarët kishin ide shumë të cekëta për botën anglo-saksone dhe për demokracinë e saj. Gjithashtu pak dihej, që për çështjen shqiptare ata kanë ndihmuar më shumë se Franca.
Qënia e Enver Hoxhës si student dhe pedagog në Lice dhe politikat e tij pro-franceze, gjatë 45 viteve të Diktaturës, sollën një propagandim të madh të rolit të Liceut Francez, gjë që nuk u bë ndaj shkollave të tjera të huaja në Shqipëri, të cilat u trajtuan si “qëndra prodhimi spiunësh”.
A do kishim një tjetër Korçë, po të mos ishte “Liseu”?
Askus nuk mund të përgjigjet, kësaj pyetje të kotë hipotetike.
Korça u dashurua me Liceun dhe fitoi shumë prej tij.
Po “jakobinët” shqiptarë?

Ata do ishin edhe pa Liceun dhe do ishin edhe më të egër!

No comments:

Post a Comment