Wednesday, 18 October 2017

I gjithë faji i Ali Pashë Tepelenës

Saimir Tahiri dhe më pas tij të gjithë papagajtë e PS-së deklaruan se Habilajt ishin kushërinjtë e tij të dhjetë.
Jam shumë kureshtar të di se si ka arritur t’i gjurmojë, se vetë jam përpjekur shumë për të gjetur rrënjët e Pemës së Marave dhe kam arritur deri në kushërinjtë e 4-tërt.
Që të gjurmosh një kushëri të rendit të katërt nuk është tmerrësisht e vështirë, se i bije, që çifti fillestar të jetë fekonduar aty rreth 150 vite më parë. Kushëriri im i katërt (emrin e të cilit nuk e them se ka mbjellë ca kanabis andej nga Lekasi) është djali i çupës së djalit të çupës të djalit të pesëgjyshit tim. Nuk është e sigurt nëse pesëgjyshi im quhej Andon, se deri në katragjyshi e di që quhej Naum.
Po le të themi se në Tepelenë njerëzit çiftoheshin më shpejt dhe pesëgjyshi i pesëgjyshit të Sajes të jetë bërë me fëmijë aty rreth fundit të shekullit të XVIII. Atëhere është as më shumë dhe as më pak vetë Ali Pashë Tepelena. Aliu në rininë e tij, kur ishte kaçak. Dhe mundet, që kur ishte kaçak të ketë “zënë“ vetëm paraardhësin e Habilajve, që mbajtën në DNA genin kaçako-kriminal të Aliut, ndërsa paraardhësin e Tahirëvet ta ketë “konceptuar” në kohën kur ishte Pasha dhe kërkonte të forconte “pashall[kun ligjor shqiptar” të pavarur nga Sulltani. Prej këtu kuptohet fare mirë, se nga rrjedh geni politiko- juridik i Saimirit.
Për sa më sipër është mëse e qartë, se nuk mund mund të fajësojmë Saimirin.
Bile as Habilajt nuk kanë faj.
I gjithi është i Ali Pashës, që jo vetëm nuk pati qëndrueshmëri në karakter gjatë jetës së tij, por ngjizi edhe fëmijë, në kohët e turbullta kur vriste dhe priste pa u mbështetur në ligj.

Pak a shumë në një linjë me mua është edhe Timonieri Rama.

No comments:

Post a Comment