Sunday, 22 October 2017

“Fantazma” e Drejtësisë

Në një sallë të vogël të Kuvendit të Burrave shqiptarë me katër tryeza të gjata, vendosura në formën e një trekëndëshi, luhet një tragjikomedi jo krejt e zakonshme.
Thuajse i gjithë shteti shqiptar është në atë sallë. Si aktorë kryesorë dhe të roleve episodike.
Pushteti legjislativ - i përfaqësuar nga Kreu i Kuvendit, një burrë me fytyrë të murrëtyer, që për shkak të shkollimit të pakët ose të pleqërisë të parakohshme thotë “prekurorja” dhe “urdho”; një tufë me deputetë në të majtë dhe të djathtë të tij, që në varësi të krahut ju hakërrohen ose mbrojnë prokurërët e pranishëm.
Pushteti juridik - i përfaëqsuar nga tre prokurorë, rastësisht dhe çuditërisht nga një rreth shumë i vogël i Shqipërisë, që për shkak të nxitimit, mangësive profesionale apo njollave në ndërgjegje nuk duken të sigrt në atë, që kërkojnë.
Pushteti ekzekutiv edhe pse jo në rolet kryesore, është “i pranishëm” në 7-8 , që kanë qënë ministra dhe zëvendës ministra(shumica të drejtësisë) ku midis tyre spikat i akuzuari, që për 3 vjet e gjysëm ka qënë Ministër i Brendshëm dhe akuzohet se ka bashkëpunuar me një bandë kriminale.
Por i akuzuari për shkak të moshës, arrogancës së kohës së ministërllëkut dhe shkollimit të pamjaftueshëm, përpiqet të kthehet në akuzator, duke u ndjerë pak si Qemal Stafa në gjyqin e 80 viteve më parë, edhe për shkak se në rrethet e Partisës së tij, këtë vagabond e krahasonin me Qemalin e shkolluar.
Mes këmbimeve të ashpra, ku nuk arrihen të kuptohen se cilët janë drejtuesit e séanceës dhe cilët akuzuesit e të akuzuarit, ndjehet prania e “fantazmës” së Drejtësisë të vrarë në fundin e vitit 1944 dhe kurrë më të ringjallur.
Të gjithë çirren për Drejtësi dhe askush nuk ka të qartë se ç’është kjo Perëndi e Njerëzimit, që ju rri mbi kokë dhe i tremb, por që është vetëm hije e padukshme.
Pjesa më e madhe, ku mesh tyre shquan Ruçi, kanë në kokë drejtësinë e kohës së Diktaturës, “atë të të barabartëve”, që nuk kishin nevojë as për avokatë se ja u siguronte barazinë shteti.
Të tjerët, kujtojnë se Drejtësinë e kanë vetëm në krahun e tyre dhe mund ta përdorin për të ndëshkuar kundërshtarin apo për t’i dhënë pafajësi partiakut të tyre.
Të vrazhdë, të paedukuar, cinikë, kjo tufë juristësh, vetëm një qëllim nuk ka. Atë të Ringjalljes së Drejtësisë të pushkatuar dikur.
Ndoshta duke përjashtuar Nasip Naçon, asnjë nuk ka jo vetëm sjelljen e shtetarit, por as atë të një nëpunësi të një vendi perëndimor, që duhet të respektojë rregullat dhe ligjet.
Nga këta njerëz e presim Reformën në Drejtësi?
Nga këta miltantë, që as mundohen ta fshehin ndjenjën anti-Drejtësi?
Për të plotësuar tragjizmin e pjesës së shëmtuar, që luhet brenda sallës, jashtë saj, “kori” i pasuesve të Tahirit kërcënon me Revolucion.
Regjisorët e pjesës duket se e kanë ngritur tashmë gijotinën.
Për t’i prerë kokën fantazmës së Drejtësisë të vrarë dikur.
Po a mund të ekzekutohen fantazmat?

Ato jo, por ju mjafton të ekzekutohet Shteti.

No comments:

Post a Comment