Tuesday, 31 October 2017

Sot është “Halloween”

Diçka duhet të bëjmë sot për të larguar frikën. Frikën e kotë dhe të natyrshme nga bota e përtejme.
Edhe në “Starbucks” ka ditë që shërbejnë kapuçino “Zombie”. Frika se mos ju duket të tjerëve se ke frikë nga të vdekurit është më e pranishme sot mes të rinjve.
A duhet shkuar natën në varreza për të parë se është vetëm një shëtitje, si në çdo lloj parku tjetër?
(Shëtitja natën në varreza më sjell ndërmend Tom Sojerin me shokët e tij dhe një mace të ngordhur. Më kujton edhe një histori më të re, të dikujt, që për tu larguar nga shtrati i bashkëshortit, sajonte një vizitë përkujtimore në varreza në mes të natës.)
Fryn erë këtë mëngjes të ditës së fundit të tetorit. Në botën e të vdekurve, të përshkruar prej mijra vitesh, ka lumenj, shira squfurorë, lule, ëngjëj, avuj, por askush nuk thotë gjë nëse fryn apo jo erë. Ndoshta sepse nuk ka ajër?
Të vdekurit më vizitojnë shpesh ëndrrave. Sigurisht si të gjallë. Shpesh gjatë ëndrrës them me vete “Po pse më thanë, që kishte vdekur?” Asnjëri syresh nuk është armiqësor. As i çuditshëm. As ndjekës.
Nuk ndodh as të grindem me të vdekurit në ëndërr, si mund të më ndodhë me të gjallët. Janë të qetë dhe më të mënçur. Nuk ngulin këmbë në opinionet e tyre. Mbase se kanë mësuar të vërtetat e mëdha. Ato, që ne të vdekëtarët e gjallë ende nuk i dimë.
Në darkë askush nuk më ka ftuar në një “Halloween Party”. Ka vite, që nuk marr të tilla ftesa. Edhe pse nuk kam shkuar edhe kur më kanë ftuar. Alkol dhe gjak në fytyra të llahtarshme më duket si një kombinim të çmendurish.
Më mirë të shikoj në darkë, se ç’ka thënë “kllouni i portokalltë“.
Në hyrje rri kungulli i paprekur. Do e pjekim në ditët që do vijnë? Për të kujtuar që jemi të gjallë dhe të gjallët kanë neps, gjë që nuk e kanë të vdekurit.
Përse nuk i lemë të qetë në perandorinë e tyre të heshtur?

A s’kemi shumë frikë, plagë dhe mizori mes nesh për të kremtuar?

No comments:

Post a Comment