Saturday, 1 April 2023

Dhimbja

I arratisem dhimbjes

Pa pirë opium,

Por duke vrapuar luginave.

E pashërueshme dhimbje

As nga akupuntura e ideve therrëse,

As nga transfuzioni i limfave bërtitëse,

Dhe as nga balsamet e ëndërrave bjerrëse.

Strukem kthinave,

Nga mund të shoh vjedhurazi

Nëse dhimbja më ndjek;

Më pas dergjem në një libër të vjetër,

Ku shpjegohet mjegullt

Përse gjithshka përsëritet,

Përse dhimbja nuk është lëkurë që mund ta rrjepësh

Por vetë forma e të ekzistuarit.

Ashtu si zjarri atë që brenda e ka e djeg,

Ashtu kaplon ngadalë dhimbja,

Trurin e kujt nuk resht së menduari.

E çakërdis,

                E hapërdan,

                                E torturon

Dhe më pas e le të pezullt në një gjendje të mpirë

Duke i kujtuar se rob i kujt është,

Ndonëse dikur është ndjerë i lirë.

No comments:

Post a Comment