Monday, 18 July 2022

Gabimet foshnjore, por dhe fatale të turizmit shqiptar


I krahasuar me vendet e tjera të Mesdheut, apo me zonat turistike të Karaibeve, turizmi shqiptar është në hapat e para të tij. Ka jo më shumë se 20-25 vjet që zhvillohet dhe pas një trashëgimie të shërbimeve të turizmit të komunizmit, që fillonin me përgjimin e klientëve dhe deri në mospërfilljen e plotë nga grupi shërbyes.

Nga gjërat e para që të bien në sy në këtë sektor të jetës së Shqipërisë, që është i domosdoshëm jo vetëm për ata që merren me të, por edhe për të gjithë vendin është skarciteti i shërbimit.

Pronarët e njësive turistike, duke nisur nga hotelet, bujtinat, restorantet baret dhe gjithë të tjerat ndjehen “bosa” dhe jo vetëm kaq. “Bosa” ndjehen kamarierët, banakierët, sportelistët, duke përjashtuar vetëm pastrueset e dhomave që e kanë të shkruar në sy përvujtësinë e tyre.

Investitorët më të mëdhenj të sektorit të Turizmit nuk kanë kuptuar ende se konkurenca në këtë fushë është më globale se në çdo fushë tjetër. Nuk konkuron vetëm me turizmin e vendeve të tjera mesdhetare, por edhe me Karaibet, Maldivet e deri tek Indonezia dhe Tailanda. Do bëhet gjithnjë edhe më e vështirë edhe për të tërhequr shqiptarët e Diasporës të kalojnë pushimet në Shqipëri, sidomos ata që jetojnë në kontinentin amerikan. Ndryshimet midis nivelit të shërbimit në plazht e Amerikës, Meksikës, Kubës, Republikës Domenikane janë tmerrësisht të mëdha. Dhe jo vetëm ndryshimet në infrastrukturë, por edhe në çmime. Dhe bëhet fjalë për një grup që ka një arsye më shumë të bëjë pushimet në Shqipëri. Po të tjerët? Pas një përvoje pa cilësi në shërbim, me çmime të larta dhe deri në përleshje të pronarëve vendas për shezlonget, çdo i huaj do fillojë ta verë Shqipërinë në vendet ku nuk dëshëron të kthehet më për të pushuar.

Eshtë për të ardhur keq që Ministria e Turizmit dhe operatorët kryesorë të Turizmit nuk bëjnë diçka më shumë për të trajnuar punonjësit e këtij sektori në vendet ku ka përvojë gjithëvjetore të turizmit. Për turistin e huaj janë të papranueshme sjelljet harbute të kamarierëve, ndryshimi i papritur i çmimeve të ushqimeve dhe pijeve dhe të tjera manovrime të tjera “dinakësh ballkanas”, që kujtojnë se ja u hedhin të huajve, por në fakt dëmtojnë veten.

Kjo verë është provë për turizmin shqiptar, që duket se vitet e pandemisë nuk i kanë mësuar se është më mirë të shërbesh me kokë ulur dhe ndershmëri për të sjellë më shumë turistë vitin tjetër, në të kundërt mund të hysh në listën e vendeve të papëlqyeshme për pushime.

 

 

 

No comments:

Post a Comment