Tuesday, 12 July 2022

Makth qytetar


“..Nuk e dija as vetë se si kisha arritur në një rrugë të njohur, që i afrohej gjithnjë e më shumë një vargmali të njohur në ngjyrë gri të errët, kur pashë një tabelë të madhe blu me një shkrim : Welcome to Nikorça City. U trondita se gjithshka ishte si një déjà vu e deformuar. Shkoja drejt një vendbanimi të njohur por me një emër pak të ndryshuar. “Në Korçë po hymë?”- pyeta shoferin e mikrobuzit, që për çudi nuk kishte asnjë njeri tjetër veç meje dhe një qeni me një etiketë plastike në vesh. “Po” më tha shoferi pa kthyer kokën nga unë, ndërsa qeni më pa trishtuar. “Po pse ja kanë ndryshuar emrin?” “Kështu e ka patur”- më tha shoferi me vështrimin drejt dhe hapi derën e automjetit që të zbrisnja. Zbrita  duke parë përreth i hutuar, se asgjë nuk më ngjante me qytetin ku kisha lindur. Qeni nuk duhet të kishte qënë i shoferit se më ndoqi pas.

Ishte me siguri pasmesnate se nuk lëvizte asgjë. Në krahun e djathtë të sheshit ku më kishte lënë mikrobuzi, që nuk u pa se në ç’parkim nëntokësor hyri, një ndërtesë metali dhe xhami me shumë drita por e pajetë, me tre gërma të mëdha në tarracë- NPG. “Dikur këtu pranë ka qënë një NPV”- mendova”por kjo është shumë e ndryshme…NPG ç’mund të jetë?” Nuk arrija dot të mendoja asgjë të saktë, që mund të lidhte sheshin, ku dikur kisha shkelur, me ndërtesën e re dhe me emrin e ri të vendlindjes.

“Mos e kanë marrë grekët?” mendova i tmerruar- dhe u kujtova që nuk kisha pranuar të paisesha me karta greke dikur. Nikorça të kujton disi Nikosia, por po ta kishin marrë ata mund të vazhdonin ta quanin Koritsa ose Nea Koritsa dhe s’kishte pse të gjenin këtë zgjidhje të çuditshme. “Të shkoj drejt malit se atje ka qënë gjithnjë qëndra e qytetit” i thashë vetes dhe hodha në sup çantën e lëkurtë që ishte më e rëndë se zakonisht. Qeni paemër më ndiqte një hap pas.

“Inxhinier në Tiranë do vesh?”- dëgjova të më thërriste një hije e ulur në shkallët e një ndërtese të lartë. Ishte Veshoja, që duket se vazhdonte me devotshmëri të gjente pasagjerë për furgonat. “Ej Vesho mirë je? Sa erdha”- i thashë dhe e përqafova pa mundur të mos i prekja veshët e mëdhenj, nga të cilët kishte marrë nofkën që i kishte fshirë emrin. “Me furgonat akoma?” “Jo nuk ka më furgona se duhet të vesh në Terminali, po më del gjumi dhe dal. Ti ku do vesh?” “Andje nga Ushtari i Panjohur.” “Hajde se të shpie unë. Ka ndryshuar Nikorça”- tha punëtori im i dikurshëm dhe u nis të më tregonte rrugën.

Cuditërisht Veshoja kishte marrë rrugën drejt Sahatit sa mendova që duhet të isha në Tiranë. “Vesho po ç’ne Ushtari i Panjohur nga Sahati?” “E kanë shpënë në kryqëzimi i Unazës me rrugën e Kolonjës. Thonë që nga Qafa e Qarrit ka zbritur kur bëhej luftë qëmoti. “ “Unë dua të shkoj në Qëndër. Atje ku është Kisha e Madhe.” “O në Katedralja të shpie unë, po ja se kanë ndryshuar rrugët” dhe pasi më udhëhoqi mes siluetave të errëta të disa ndërtesave të larta, u gjendëm para një Muri stërmadh, që të kujtonte Murin e madh kinez. “Po ky mur nuk ka qënë Vesho?!” “E bënë të ri ku ka qënë Kalaja e Nikorçës. Projektin e bëri ai arqitekti austriak që bëri Kullën.” “Australian.” “E australian, austriak njësoj është inxhinier. Muri i vogël kinez i thonë dhe e bënë për turizmin. Brenda kanë vënë tërë armët e 97-ës.” “Po shkolla që ishte këtu ku është?” “O shkolla u prish se do bëhet e tërë Nikorça turistike”- vazhdoi të më shpjegonte gjithë zell Veshoja dhe pasi e ndoqa në disa rrugë të ngiushta dolëm në sheshin para Katedrales.

Një skulpturë stërmadhe prej inoksi dominonte sheshin. Ishin kujdesur ta ndriçonin nga poshtë dhe ajo dukej edhe më e llahtarshme në gjigantizmin e saj. Tuba të mëdha që të kujtonin këmbët e Guliverit në vendin e Liliputëve dhe mbi to trupi ndërpritej nga një kitarë. “Po kjo…”-pyeta me gjysëm zëri. “Eshtë Serenatisti i Panjohur” – më shpjegoi me zell Veshoja- “simboli i qytetit. Kur të gdhihet mund të shikosh edhe kokën me një nofull të gjatë, sa të gjithë thonë që është Nikoja dhe jo i Panjohuri. Niko Peinoksi i thonë tani…”

Më ishin prerë gjunjët ndaj u ula mbi çantën, që nuk ishte aspak e rehatshme si ndënjëse. U ngrita dhe hapa zinxhirin të shihja ç’kisha vënë dhe i tmerruar pashë që ishte plot me kallëpë dinamiti. I trembur se mund të ishte dikush rrotull veç Veshos dhe qenit besnik, që mund të thërriste policinë për të më ndaluar të hidhja në erë “Serenatistin e Panjohur” u rreka ta mbyllja zinxhirin, që nuk mbyllej më ndërsa kallëpët derdheshin në tokë…”

Carçafi më ishte mbështjellë keq mes këmbëve dhe fytit dhe isha i mbuluar në djersë.

-          O Zot sa mirë që ishte ëndërr!

 

 

No comments:

Post a Comment