Friday, 8 July 2022

Më jepni një demagog dhe të lëviz globin!


Në Shqipëri njerëzit kanë shumë arsye të protestojnë. Korrupsioni, çmimet e larta (të shkaktuara edhe nga korrupsioni), mungesa e investimeve të huaja, problemet e mëdha në arsim dhe shëndetsi, janë vetëm disa nga problemet e mëdha, që bëjnë të vështirë jetën e shqiptarëve. Maje duhet thënë se shqiptarët janë të vonuar në protesta dhe nuk janë të shumtë në numur, pikërisht se ju mungon kultura demokratike e solidaritetit.

Që prej lirimit të masave të pandemisë, të cilat kufizonin grumbullimin e njerëzve, ka pasur disa protesta nga grupe të ndryshme, duke nisur me banorët që ju janë prishur shtëpitë, duke vazhduar me fermerët dhe duke përfunduar me studentët. Por kanë qënë pa përkrahje të madhe dhe nuk kanë pasur jetëgjatësi edhe pse mund të kenë qënë më të besueshme se ato që organizohen nga partitë politike.

Dhe ja dje, një politikan i dështuar, i shpallur “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përgjegjës për gjendjen që është demokracia shqiptare në këto 31 vjet, ishte në gjendje të grumbullonte një numur rekord njerëzish në një buzëmbrëmje teje të nxehtë korriku.

Si shpjegohet që masat grumbullohen pas këtij demagogu të dështuar?

Ndodh ajo që ka më se 100 vjet që ndodh në botë. Masat parapëlqejnë të ndjekin demagogët. Janë ata që ju ngjallin shpresën edhe pse e dinë që i gënjejnë. Ka ndodhur me Trockin dhe Leninin, me Hitlerin dhe Musolinin, me Kastron dhe Cavez, me Trump dhe Bolsanaro. Ndodh edhe tek ne me Sali Berishën dhe Edi Ramën. Dy politikanët më gënjeshtarë, më të pacipë dhe më perfidë.Problemi qëndron në atë që quhet “psikologji e masave” dhe që është një dukuri që njihet, por për fat të keq nuk është në gjendje të luftohet.

Ato çka tha dje Berisha për Ramën ishin të gjitha të vërteta, por vlenin po aq edhe për atë vetë. Shumica dërmuese e shqiptarëve e dinë këtë, por përsëri gënjejnë mendjen se Berisha mund t’I shpëtojë nga Rama.

Shqiptarët ikin nga Shqipëria se nuk gjejnë alternativë tjetër. E dinë që PD-ja në qeveri është po njëlloj si PS-ja se e kanë provuar. Ndaj dhe opozita është po aq përgjegjëse për zbrazjen e Shqipërisë sa ç’është dhe opozita.

Grumbullimi i djeshëm ishte një hap pas në Demokracinë shqiptare. I dha frymëmarrje një politikani tashmë të vdekur politikisht. I dha shpresë edhe çiftit Meta-Kokëmadhi, që mund të mbijetojnë në politikë dhe mos shkojnë në burg. I dha shpresë edhe Ramës, që nuk do ketë kurrë përballë një opozitë të vërtetë, që mund të gjejë mbështetjen e plotë të shqiptarëve dhe të të huajve dhe që do ja shkurtojë ditët e këtij mandati.

Dje fituan edhe një herë demagogët dhe hajdutët! Më shumë shqiptarë do largohen prej sot e tutje nga Shqipëria.

No comments:

Post a Comment