Saturday, 9 July 2022

Kryehetuesi që “shpëtoi” Kadarenë?!


Qemal Lame, kryetari i Hetuesisë së Shqipërisë prej vitit 1982 dhe deri më 1992 tregoi dy ditë më parë për Blendi Fevziun se si e shpëtoi shkrimtarin Ismail Kadare nga arrestimi. Mashtrues, mitoman, i fëlliqur dhe shumë epitete të tjera i shkojnë këtij njeriu, që nuk ka turp për ato ç’ka shkruan. Por si e thotë me të drejtë publicisti Enver Robelli, turpi qëndron mbi Fevziun që interviston Lamen dhe i jep hapësirë për gënjeshtrat e tij në një emison që ndiqet nga shqiptarët.

Ka dhjetra gënjeshtra të Lames, që nuk i qëndrojnë logjikës më të thjeshtë, të atyre që kanë jetuar dhe njohin qoftë përciptas kohën e Diktaturës. Viti 1982 ishte një vit i një lloj “çlirimi” nga terrori i madh i luftës së klasave të nisur 10 vjet më parë dhe pikërisht në fillimin e vitit 1973. Pas vetvrasjes së Mehmet Shehut, Enver Hoxha mendoi të “lante duart” me të dhe ata që e kishin mbështetur dhe të adoptonte një politikë më liberale duke I hehur të gjithë fajin e krimeve politike mbi Shehun dhe Ministrinë e Brendëshme. U përgatit e ashtuquajtura “tablo sinoptike” dhe më pas me rradhë u arrestuan Feçor Shehu, Mihallaq Ziçishti, Ali Kubati, Llambi Peçini dhe më në fund ministri më jetëgjatë i punëve të brendëshme, Kadri Hazbiu. Spastrimi në nivelet e dyta ishte shumë i madh dhe u burgosën ose u internuan me dhjetra punonjës të Sigurimit.

Të gjitha arrestimet dhe spastrimet u pritën mirë nga shumica e popullsisë, që dinte se ç’krime kishin kryer në vite punonjësit e Ministrisë së Punëve të Brendëshme. Mes masave për të vënë një lloj kriteri ligjor mbi arrestimet dhe përndjekjet, ishte ndarja e Hetuesisë nga Ministria e Brendëshme. Në krye të organit të posakrijuar u vu një prokuror-hetues 33 vjeçar i quajtur Qemal Lame, sepse më të vjetrit ishin pak a shumë “të përlyer” keq me proceset e mëparshme politike, ose ishin miq dhe të afërm të posaarrestuarve.

Sipas shkrimeve dhe intervistave të viteve të fundit, pikërisht ky prokuror-hetues i posaemëruar, që kishte shpënë para togës së pushkatimit edhe të rinj 20 vjeçarë, i mbushi mendjen Enver Hoxhës në shtator të vitit 1982 të mos arrestonte Ismail Kadarenë! Enver Hoxha e mori në telefon 33 vjeçarin kryehetues dhe i tha të arrestonte Ismail Kadarenë dhe ky me durim i shpjegoi se situata politike nuk ishte e favorshme për një arrestim të tillë!

Kushdo që ka jetuar në atë kohë di përafërsisht se sa i largët ishte Enver Hoxha jo për hetues si Qemal Lame, por edhe për ministrat dhe të tjerë funksionarë shumë të lartë. Mjaftonte një porosi e tre-katër vetëve të afërt me të, ku hynin Nexhmija, Ramiz Alia dhe Haxhi Kroi, që Ai ka dhënë këtë porosi dhe e gjithë makina partiako-shtetërore vepronte me shpejtësi të rrufeshme duke e tejkaluar edhe porosinë e Udhëheqësit.

Duke lënë mënjanë mitomanin mashtrues Qemal Lame, po i rikthehem edhe një herë çështjes se sa pranë arrestimit ishte Ismaili gjatë jetës së tij. Ka patur raste, kur të zellshmit e Sigurimit kanë përgatitur dosje për të dhe mund të kenë sugjeruar përjashtimin nga Partia dhe arrestimin e tij. Këto zëra kanë qarkulluar që në vitin 1972, menjëherë pas botimit të “Dimrit të vetmisë së madhe”. Sipas të thënave të kohës ishte vetë Enver Hoxha që e kishte ndalur një gjë të tillë, kryesisht për faktin se kishte pëlqyer se si Kadareja kishte trajtuar figureën e vetë Enverit në atë libër. Romani u hoq pas disa muajsh nga qarkullimi dhe Ismaili pranoi ta ripunonte duke e sjellë në formën që njihet më shumë sot si “Dimri i madh”.

(vijon)

 

No comments:

Post a Comment