Qëlloi që udhëtoja drejt Shkodrës më 3 korrik të vitit 1990. Ishte një udhëtim i përvitshëm për të shpënë gruan dhe fëmijët të kalonin pjesën më të madhe të verës me familjen e saj. Një lloj udhëtimi jo shumë I këndshëm, por i detyruar. Nuk jam i sigurt nëse deri në Tiranë shkuam me mikrobuzin e seksionit të arsimit, por di që ndaluam diku pranë Shkollës së Partisë për të gjetur një makinë për të vazhduar rrugën drejt qytetit verior. Atje na mori një ambulancë, që duket se kishte shpënë ndonjë të sëmurë në kryeqytet. Vera ishte e tensionuar me përpjekjet e njerëzve për të ikur nga Shqipëria duke u arratisur, por dhe me lajmet që të rinjtë në kufi i vrisnin. “Diktatori i butë“, Ramiz Alia dukej që ishte një njeri me shumë fytyra dhe që nuk i bëhej vonë të vriste.
Bisedat kundër pushtetit tashmë ishin të hapura me shoferin
dhe një pasagjer tjetër, ndërsa mjeku që qëndronte në sediljen e parë nuk përzjehej
në to. Arritëm në Shkodër dhe kalova dy nga mbrëmjet e nxehta për të cilat e
kujtoj atë qytet dhe dëgjuam për hyrjen në ambasadat. Të pasnesërmen u ktheva në
Tiranë për të mbaruar një punë në Ministrinë e Arsimit dhe të nesërmen, më 6
korrik shkova të shikoja se ç’bëhej në ambasadat, por tek blloku i tyre nuk
lejohej më kalimi. Shkova më pas në Rruga e Elbasanit të shihja se ç’bëhej në
Ambasada Italiane dhe atje, megjithë
rrethimin me policë i pashë njerëzit që kishin hyrë në ajo ambasadë. Kryesisht
të varfër, të dëshpëruar, që kishin tashmë gëzim në fytyrat e tyre edhe pse
ende nuk dihej se si do vepronte regjimi. Familjarët mundoheshin t’I takonin
tek kangjellat dhe t’ju jepnin ndonjë gjë. Nuk kuptohej nëse “të arratisurit”
kishin shpëtuar përfundimisht apo ishin të burgosur. Zgjatja për disa vite e çështjes
së familjes Popa në ambasadën italiane të krijonte një ndjenjë pasigurie edhe për
të posafuturit në ambasada.
Tek lulishtja pranë Ministrisë Komunale, ku zakonisht mund të
gjeje makina të Korçës, takova dy inxhinierë të Ndërmarjes së Ndërtimit, që
kishin ardhur bashkë me drejtorin, të ndjerin Osman Dëllinja. Osmani, komshiu
im, kishte ardhur për Pleniumin e Jashtëzakonshëm që kishte mbledhur Ramiz Alia
për ngjarjen në ambasadat. Ndërsa
ngjiteshim me makinë në rrugën e Elbasanit, dikush e pyeti anëtarin e Komitetit
Qëndror se ç’ishte vendosur në Plenium dhe Osmani, me naivitetin e tij tha : I vuri të gjitha pikat mbi i shoku Ramiz! Me
zor mbajta të qeshurën, se “shokut Ramiz” sa i kishte rënë këmbana e madhe e rënies
së Diktaturës, por nuk kisha ndërmend të hyja në bisedë me Osmanin, që më
kishte marrë në makinë për t’u kthyer në Korçë.
Më pas ndodhi lejimi i shqiptarëve të ambasadave të iknin
nga Shqipëria, mitingu qesharak kundër
tyre në Tiranë, takimi i Alisë me intelektualët e Tiranës, “arratisja” e
Kadaresë dhe në fund të vitit Lëvizja Studentore, por Diktatura kishte rënë pikërisht
më 2 korrik, kur një grup i madh shqiptarësh të guximshëm kishin hyrë në
ambasadat e huaja dhe kishin kërkuar strehim politik. Ramiz Alia me shokë i
kishin arkat e shtetit bosh dhe nuk mund të rezistonin dot gjatë ndaj dhe u
sollën “të arsyeshëm” me gjithshka ndodhi ato ditë të nxehta korriku dhe më vonë.
Në rast se do kishin edhe një ndihmë të vetme ekonomike nuk do kishin hezituar
të vrisnin me mijëra vetë, vetëm e vetëm për të qëndruar në atë pushtetin e tyre
sa qesharak aq edhe mizor.
No comments:
Post a Comment