Wednesday, 13 July 2022

Korça nuk ka lumë, po do ketë shumë Ura


Gjenialiteti i socialistëve korçarë (ndoshta me frymëzim nga Udhëheqësi i Gjatë) po arrin majat. Për shtimin e turizmit në dhjetë vjetët  e ardhme parashikohen të ndërtohen një sërë urash të varura për këmbësorët. Flitet që Edit këtë ja kishte shtënë në vesh Behgjet Pacolli, Qytetar Nderi i Korçës, që kishte thënë dikur “O e bukur Korça, po i duhet nji Ur!”

Dhe meqënëse nuk kemi lumë apo ndonjë ngushticë ujore për të kapërcyer është krijuar një projekt fantastiko-shkencor që lidh Kohën me Hapësirën. Si Fazë e parë mendohet të lidhet Maja e Kryqit me kalanë e Mborjes, që pritet të sjellë rreth gjysëm milioni turistë të huaj në vit. Janë turistë që duan të kalojnë më këmbë në Ura të Varura. Janë shumë e shumë nga vendet e zhvilluara Perëndimore, që i kanë fiksim urat e varura. Kjo do jetë edhe më e gjata dhe më e larta në botë dhe sipas promovuesve eurosocialistë do jetë “magnet” për turistët urëkalues.

 Qysh tani ka kontraktuar Paramount dhe Tom Cruise të xhirojnë në të një pjesë të filmit më të ri të “Mission Impossible”, që titullohet “Look at Mborja and don’t die!” (“Shiko Mborjen dhe mos vdis!”) Në bazë të fabulës së filmit është zbulimi i një misioni sekret ushtarak rus për të gjetur DNA-në e ministrit të mbrojtjes të një vendi ballkanik dhe për të shkatërruar urën.

Deabolis jetë një projekt “ i papam”, që do  shoqërohet edhe me projeksione teknologjike bashkëkohore, që do ju krijojë mundësinë turistëve të ndjehen si në kohët e Kalasë së Mborjes dhe të komunikojnë me mborjarët e vjetër. Për këtë po punon një grup i veçantë historianësh i drejtuar nga Niko Kotherja, për tu bazuar në dokumenta autentike se si ishte kultura e Mborjes në kohën e Kalasë.

Projekti do jetë vetëm pjesa e parë e një zinxhiri Urash pasarela, që do lidhin pikat e larta të Korçës me vende historike. Pas projektit Deabolis 1, një urë më e gjatë do projektohet nga Belvederja në Kalanë e Zvezdës, ku mendohet se ka qënë vërtet fortesa Deabolis. Do jetë një urë me dy kalime të veçanta, njëra për turistët dhe tjetra për “zengjinët e rinj”, që do jetojnë në vilat e Belvederes. Ky do jetë projekti Deabolis 2 që do ndiqet nga Deabolis 3, që do lidhë Grykën e Ujkut me Tumat e Kamenicës.

Fondet janë siguruar, projekti është i përfunduar ndaj nuk mbetet gjë tjetër veç të ndërtohet krahas Satelitëve Albania 1 dhe Albania 2. Pas ndërtimit do i jepet me koncension për ta administruar një grupi privat që nuk do ketë asnjë lidhje me Partinë Socialiste në qëndër ose në qytet. Kuptohet pas një tenderi të hapur, transparent dhe rezistent nga erërat e kritikave. Pak a shumë si vetë Ura.

Një zgjidhje tjetër ndihmëse e këtij projekti do jetë ajo me karakter social, që do ju ofrojë shtresave në nevojë të Korçës, të cilat pas ndërtimit të Urës mund të flenë nën të me krenarinë, që flenë në urën më të gjatë e më të lartë në botë!

No comments:

Post a Comment