Ne shqiptarët mund të bëjmë shumë lëshime që lidhen me moralin, ligjshmërinë, etikën e të tjera, por për një gjë “na ka vrarë pika”. Nuk bëjmë lëshimin më të vogël kur vjen fjala për sovranitetin tonë. E kemi të hershme, apo na u ngulit më shumë gjatë viteve të Diktaturës, veçanërisht kur sho Enver e sintetizoi në thënien lapidare “edhe bar hamë, por…” që tërboi Hrushovin, kjo duhet të jetë objekt i historianëve, por që jemi kjo nuk ka as më të voglin diskutim.
Për të mos u hallakatur shumë me figurat”sovraniste” të
historisë të shtetit shqiptar, nga ata që i shpunë kurorën e Skënderbeut Viktor
Emanuelit dhe të tjerët që bënë miqësi për hir të sovranitetit deri në Kinën e
Largët, le të përqëndrohemi në tre “sovranistët” më të fundit.
Ilir Meta është
padyshim njëri prej më të lavdishëmve. Jo më larg se viti i kaluar, i përballur
me ndërhyrjen e paturp të ambasadores amerikane në punët e brendëshme të Shqipërisë,
Presidenti i vendit tonë sovran, ofroi të shkonte në Malin me Gropa dhe të
asgjesohej nga një dron amerikan me raketë, vetëm e vetëm që sovraniteti i Shqipërisë
dhe i shtetit shqiptar mos cënohej. Gjest heroik i njëjtë me ata të Mic Sokolit
dhe Selam Musa Salarisë. Madje ofrimi i tij për vetëflijim kishte edhe një përmasë
ekologjike, se donte të ndodhte në një vend ku raketa mos prekte as bimësinë e
zonës.
Sali Berisha është
“sovranisti par excellence”. Nuk ka moment të karrierës së tij politike ku nuk është
shpalosur kjo. Jo vetëm pasi u shpall “non grata” nga Departamenti I Shtetit
(duhet thënë se pikërisht nga që ishte sovranist, Sorosi e futi në atë listë),
por që në fillimet e tij. Ai nuk mund të cënonte sovranitetin e shtetit, kur
SHBA dhe BE kishin vendosur bllokadën e naftës kundër Sërbisë, ndaj dërgonte
vazhdimisht çisterna me naftë në Mal të Zi për të forcuar sovranitetin e PD-së
dhe Shqipërisë. U detyrua edhe të shkatërronte përkohësisht shtetin shqiptar më
1997 për të mos dëgjuar të huajt që kërkonin mbylljen e firmave piramidale. Së
fundmi shkatërroi planet amerikane, që kërkonin të cënonin sovranitetin e PD-së
dhe rimori në dorë opozitën, që na bën të ndjehemi më sovranë.
Për habinë e vëzhguesve, më se sovranist është shfaqur së
fundmi, skandinavi Edi Rama. I
paraqitur në vite si kozmopolit dhe mendimtar liberal globalist, tashmë
kryeministri Rama është kthyer në sovranist të thekur, po aq sa Meta dhe
Berisha. E theksoi veçanërisht dje, pasi europianët dhe amerikanët kanë kërkuar
me forcë, që Parlamenti mos miratojë projekt-ligjin për amnistinë fiskale. Jo të
dashur kapitalistë amerikanë dhe europianë! Me sovranitetin e Shqipërisë,
shtetit dhe qeverisë shqiptare nuk mund të luajë njeri, veçanërisht kur bëhet
fjala për të pranuar në gjirin tonë fëmijët plangprishës që merren me cazë drogë
dhe trafiqe të tjera. Ne do i rehabilitojmë djemtë tanë trima dhe liridashës sepse
vetëm në këtë mënyrë mund t’i kthejmë në rrugën e drejtë të biznesit të ligjshëm.
E në fund të fundit nuk ishit ju që ja u mësuat trafiqet? Ne nuk kishim të
tilla në kohën e kryesovranistit Enver Hoxha.
Shqipëria është e fortë, e begatë dhe mbi të gjitha sovrane
falë këtyre tre “sovranistëve” që ndjekim symbyllur nga pas.
No comments:
Post a Comment