Thursday, 14 July 2022

“Hala ke Ura!”


Lajmi i Urës së Varur për këmbësorët Deabolis 1 ka qënë lajmi më i mirë pas dy vjet e gjysëm pandemie dhe 4 muajve luftë në Ukrainë. Nga të gjitha pikpamjet. Turistike, psikologjike, shoqërore, politike, të sigurisë kombëtare, të zhvillimit të sporteve etj., etj.

Me një Urë do targetojmë shumë fusha! – është slogani i grupit të Urës. “Ndërsa të tjerët luftojnë, ne ngremë Ura!”, “Kundërshtarët na quajnë armiq, ne lidhim me Ura”, “Urra, Urra, të gjithë tek Ura!”

Ura Deabolis 1 do sjellë lumë turistësh (që do kalojnë mbi urë) dhe jo vetëm do gjallërojë qytetin dhe bujtinat e mbetura bosh nga ngritja e çmimit të karburanteve, por do bëjë të mundur edh endërrën e hershme të korçarëve për aeroport. Se si do vijnë ata mijëra turistë, që synimin e vetëm të vizitës në Shqipëri kanë Urën këmbësore më të madhe në botë? Duhet aeroporti. E po të ketë Kukësi , Vlora dhe Saranda e të mos ketë aeroport Korça ku është parë?! Kishte që në vitet ’20.

Aq thellë e kanë menduar ideatorët e Urës, sa ku kalojnë këmbësorët ura do jetë 120 cm e gjërë, sa për një njeri të kalojë në një drejtim dhe një tjetër në të kundërt, ndërsa më lart do jetë 160 cm, se turistët kur të bjerë shi do kenë dhe umbrella dhe këto umbrella e sotme ngadonjëherë janë bajagi të mëdha. Nga ana e Majës së Kryqit do ketë edhe pistë urbane për ski me snowflex, kurse në anën tjetër janë gurët e mëdhenj të Kalasë dhe kushedi se çdo dalë edhe më vonë. Hiç hiç, një turisti mund t’i marrësh 80 euro përtë kaluar në Urë, se është 800 metra e gjatë dhe një euro për 20 metra është thuajse xhaba. Problem mund të jetë për ata turistë, që do mrekullohen nga Kalaja e Mborjes dhe nuk do duan të kthehen, por këto hollësi mund të kordinohen më vonë ndërmjet Ministrisë së Kumbaros dhe asaj të Cuçit.

Do krijohet mundësia edhe për të punësuar qindra të rinj që kanë mbaruar psikologji në Universiteti “Fan Noli” dhe nuk kanë mundur të punësohen në profilin e tyre deri tani. Në të dy anët e Urës do ketë dhoma këshillmore se si turistëve mos ju merren mendtë nga lartësia e madhe. Prioritet do ju jepet psikologëve nga rrethi i Devollit.

Pritet të ketë edhe nihilistë dhe të tjerë kundërshtarë të Urës për arsye të qarta politike, por për këtë është punuar që tani për ngritjen e grupit “Aleanca për Mbrojtjen e Urës”, i cili do bëjë punë propagandistike për të ndërgjegjësuar korçarët e lëkundur se ç’të mira sjell Ura Lëkundëse.

Me largpamësi po punohet edhe për detajet e Ditës së Përurimit, ku për shkak të emigrimit të shumtë të këngëtarëve popullorë të zonës sonë, kënga e krijuar posaçërisht për rastin, i është caktuar Grupit Polifonik të Pilurit të Vlorës. Ka thashetheme se kënga fillon:

                Kush bëri Korçën me Urëëëëë

                Edi Rama deli burrëëëëëëë

Gjysma m... e gjysma shurrëëëë!

No comments:

Post a Comment