Saturday, 9 July 2022

Kryehetuesi që “shpëtoi” Kadarenë (fund)

 


(vijim)

Ismaili ka pasur edhe momente të tjera të vështira, veçanërisht në vitet ’70, kur lufta e klasave ishte në kulmin e saj dhe dihej gjithandej që Kadareja kishte qënë në pararojë të liberalizmit dhe të“luftës së brezave”. Megjithatë në Pleniumin e IV ai nuk u përmend për keq, si ndodhi me shumë autorë të tjerë, për të mos prekur veprën e tij, veçanërisht poemat “Shqiponjat fluturojnë lart” dhe “Përse mendohen këto male” dhe romanet “Gjenerali i Ushtrisë së vdekur”, “Kështjella” dhe “Kronikë në gur”. Të gjitha këto vepra i kishin shërbyer sistemit për lartësimin e tij dhe veçanërisht “Kronikë në gur” ishte përmendur si vepër e shkëlqyer për Gjirokastrën nga vetë Diktatori.

Por veç heqjes nga qarkullimi për ripunim të “Dimrit të vetmisë së Madhe”, Kadareja kishte pasur problem me romanin “Nëntori i një kryeqyteti” dhe ndonjë vepër tjetër, e cila nuk i ishte botuar menjëherë. I ndjerë nën trysni, në vitin 1975 ai shkroi poezinë-pamflet “Në mesditë u mblodh Byroja Politike”, ose e njohur edhe si “Pashallarët e Kuq” me qëllimin e vënies në dukje të cilësive të shquara të Enver Hoxhës, si zbulues i grupit të “puçistëve” në ushtri. Ishte një nga momentet më të vështira të jetës së tij, se në të kundërt të asaj që priste, Enver Hoxha u tërbua. Mund të ketë qënë çasti, kur burgu ka qënë më pranë shkrimtarit të shquar. Por edhe këtë rradhë, Diktatori ju shfryu bashkëpunëtorëve më të afërt me fjalët më të rënda për Kadarenë, të cilat i shkuan në vesh Kadaresë, por nuk dha urdhër ta arrestonin.

Ishin vite në të cilat Ismaili shoqërohej me të rinj, bij të Byrosë Politike, për të tatuar pulsin e asaj çka ndodhte në sferat e larta. Dihej miqësia e tij e afërt me të ndjerin ark. Agim Myftiu, djali i Manush Myftiut. Më vonë një miqësi shumë të afërt kishte me Bashkim Shehun, djalin e Mehmet Shehut. Kryeministri i asaj kohe e kishte mbrojtur hapur Ismailin në bisedat me Enver Hoxhën. Për këtë miqësinë e fundit abuzohet nga Qemal Lame dhe ndonjë tjetër, që Kadareja ishte pranë arrestimit pas vetvrasjes së Mehmet Shehut dhe arrestimit të Bashkim Shehut.

E vërteta është krejt ndryshe. Në vitin 1982, Ismaili pati një problem familjar, i cili është bërë i njohur gjërësisht në shtyp nga dëshmitë e nënës së djalit që dashuronte vajzën e Ismailit. Për shkak të kundërshtimit të lidhjes nga Ismaili, e jëma e djalit filloi një reagim shumë agresiv ndaj familjes Kadare. E përkrahur nga miq të saj fanatikë si e bija e Jaho Gjolikut, gjykatëse e Gjykatës së Lartë, ajo nisi sulme me fyerje publike ndaj Ismailit duke vënë të rinj që i thërrisnin “këlysh i Mehmet Shehut”. Më vonë Kadareja i ka paraqitur këto si përpjekje të Sigurimit duke mbuluar të vërtetën, që miq të tij, njerëz të Ministrisë së Brendëshme i kishin bërë presion të dashurit të vajzës deri sa ai arriti të tentonte vetvrasje.

Në gjithë këtë atmosferë shumë të pakëndëshme për familjen Kadare nuk kishte asnjë orientim nga lart për ta arrestuar. Eshtë jashtë çdo logjike, që në periudhën kur Hoxha orienton të zbutet në maksimum lufta e klasave, të kërkonte arrestimin e shkrimtarit më të mirë shqiptar, njëkohësisht edhe të njohur në Europë. Prej asaj zbutje dhe tutje, Kadareja si shumë të tjerë në Tiranë, ishin të sigurt se nuk rrezikoheshin më. Por në kundërshtim të hapur me llogjikën e kohës, Qemal Lame sajon edhe një urdhër tjetër të vitit 1983 të Enver Hoxhës për arrestimin e Kadaresë. Eshtë përsëri Lame trimi, që me të njëjtat argumenta të përdorura më 1982, i mbush mendjen Diktatorit që Ismaili mos arrestohej?!

Në vitin 1982 dhe 1983, jo Qemal Lames 33-34 vjeçar, por gjithë Byrosë Politike dhe vetë Nexhmijes ju shpëtonte shurra kur ishin para Hoxhës.

Tashmë të gjithë këta që përmireshin nga frika para Hoxhës kanë vdekur dhe Qemal mashtruesi mund të thotë çdo lloj marrëzie që i shkon për shtat dhe që mund t’i zgjerojë auditorin se flitet rreth Enver Hoxhës dhe Ismail Kadaresë, dy shqiptarëve më të njohur në Europë të kohës së Diktaturës. Nuk dalin as ata që e kanë njohur nga afër të thonë :”Mos e dëgjoni këtë kokërr mashtruesi!” Gënjeshtrat e përsëritura, për fat të keq zenë rrënjë dhe pas disa viteve mund të paraqiten edhe si fakte.

Kështu paska qënë shkruar Historia e Shqipërisë së shkretë!

No comments:

Post a Comment