Tuesday, 5 July 2022

C’kërkojnë gratë shqiptare?


Barazi me meshkujt - mund të hidhet shpejt e shpejt dikush që nuk është grua.

Më duket një përgjigje e nxituar nga një që nuk njeh botën shqiptare në përgjithësi dh e veçanërisht botën e grave shqiptare, që është aq e ndryshme nga një rrip toke në një tjetër, atje ku mbaron një luginë e ngrihet një shpat mali, atje ku është rrëmbyer toka e tjetrit dhe ku kalon autostrada, atje ku plazhistet mund të bëjnë banjo dielli me gjokse jashtë dhe ku nuk i ndalin.

Shoqëria shqiptare ka qënë gjithnjë shumë e fragmentuar dhe me diferenca të mëdha kulturore, mendësie, filozofie dhe zakonesh. E megjithatë ka një pjesë të Shqipërisë, që për shkak të zhvillimeve të pazakonta demografike, tani përmbledh gjysmën e popullsisë të Shqipërisë dhe natyrshëm edhe gjysmën e grave. Eshtë zona Tiranë-Durrës, së bashku me qytetet e Ultësirës Perëndimore.

Po në këtë zonë më të unifikuar për shkak kushteve të ngjashme të jetesës, mund të dallosh tëpaktën 7-8 grupe tepër të veçanta grash, që detyrimisht kanë kërkesa të ndryshme për jetën, pikërisht sepse janë të formuara në kushte tepër të veçanta.

·         Femrat e fasoneve dhe të gjitha ato që punojnë në sektorin e shërbimeve ëndërrojnë për një pagë më të lartë, të kenë mundësi të plotësojnë kërkesat e fëmijëve dhe mundësisht të kursejnë diçka për të shkuar një javë me pushime në plazh.

·         Femrat që nuk punojnë, të të gjitha familjeve të “biznesmenëve” që merren me trafiqe ilegale kanë kërkesa për veshje të shtrenjta, bizhuteri dhe “arredim” sa më luksoz të shtëpive “për t’ja u kaluar të gjithave të sojit”.

·         Femrat e gjykatava dhe prokurorive, spitaleve dhe universiteteve, të përfshira në korrupsionet me shuma jo të vogla, që ëndërrojnë për një jetë si në telenovelat e familjeve të pasura, me shumë dashuri, botoks dhe operacione të tjera plastike që përmirësojnë paraqitjen për sa më shumë aventura dashurore.

·         Femrat e botës së spektaklit, që ndjehen se meritojnë të kenë të dashur të pasur, që të shpenzojnë milionat për to, si çka ndodhur gjithnjë në botë që në kohët para Al Kapones dhe teatrit Balshoi.

·         Femrat e OJQ-ve, që nuk dikur janë marrë me politikë, por më pas e gjetën shumë të korruptuar botën politike dhe ëndërruan të kenë një jetë dinjitoze dhe jo shumë të lodhëshme me paratë që vijnë nga Bashkimi Europian dhe fondacionet e shumta botërore.

·         Femrat shumë të angazhuara në politikë, që ëndërrojnë të bëhen një ditë ministresha “për të patur në dorë“ dhe që janë të gatëshme të bëjnë çdo lloj sacrifice për një karrierë sa më të suksesshme politike dhe shumë çanta Louis Vuitton.

·         Dhe ato , të shkretat mbi 50 vjet, që nuk kanë patur mundësi të punësohen në 10 vitet e fundit dhe qëkanë mbetur jashtë tregut të punës, dhe presin ose t’ju dërgojë dikush ndonjë ndihmë nga emigracioni, ose diçka e jashtëzakonshme të ndodhë, që të mund të shpëtojnë nga ankthi që i mban për gryke çdo ditë.

Mund të ketë edhe ndonjë kategori tjetër ëndërrimtaresh, se nuk mundet të ndalësh së ëndërruari në këtë botë që dominohet nga meshkujt.

No comments:

Post a Comment