Friday, 29 July 2022

Mitingjet, festimet dhe gjurullditë e tjera


Kjo puna e mitingjeve, ku të detyrojnë të shkosh është një histori e vjetër. Lidhet me regjimet totalitare dhe nuk ka të bëjë aspak me pjesëmarrjen në proceset politiko-demokratike, për të cilat kam shkruar shumë herë. Mitingjet, festimet apo koncertet ku të venë në dispozicion autobuz, apo të verifikojnë nëse ishe apo jo nuk janë pjesëmarrje në jetën shoqërore të vendit. Shumë pjesëmarrës detyrohen të venë në Facebook apo Instagram fotot e tyre për të dëshmuar para udhëheqësve dhe spiunëve se ishin në miting apo në festim. “Ja ku është dëshmia!” duket sikur thonë me buzëqeshjet e tyre të shtirura në një buzëmbrëmje korriku në Tiranën përvëluese.

Në fëmijërinë dhe rininë tonë kishte masovikë që ishin të specializuar në organizimin e mitingjeve, sigurimin e pjesëmarrjes, përgatitjen e banderolave dhe shpërndarjen e tyre, si dhe vendosjen e grupit që kishin në ngarkim në kuadratin e përcaktuar. Mbi 90% e fëmijëve dhe të rinjve nuk kishin asnjë dëshirë të shkonin në ngjarje të tilla pas shkollës. Kur mitingjet ishin në mëngjes, bëheshin një sebep i mirë për të mos bërë mësim. Kishte raste që na nxirrnin në trotuare për të përshëndetur udhëheqësit e Tiranës që do kalonin për të hyrë në një konferencë partie a në ndonjë Kongres. Edhe pse nuk ishim disidentë na vinte për të qeshur dhe ndonjëherë edhe na përzihej nga shfaqje të tilla gjysëm idiote. I shmangeshim mbajtjes së flamurëve dhe banderolave.

Në vitet e universitetit shmangiet ishin më të mundëshme. Kishim më pak kontroll gjatë jetës studentore. Edhe në ato vite detyroheshe të merrje pjesë në parakalimet e 1 majit ose në ndonjë paradë ushtarake, por ishte më e lehtë të gjeje një arsye për të mos marrë pjesë. Nuk di se ]’kisha gjetur për t’ju shmangur parakalimit të 1 majit tim të fundit në Tiranë, por kujtoj që para se të shkonte ora 5 e mëngjesit, sekretari i partisë, i ndjeri Niko Verdha trokiste me grusht në dhomat e konviktit për të na nxjerrë në kohë jashtë. Isha vetë në dhomë dhe kur hapi derën dhe pa që nuk po ngrihesha më thirri me atë të folurën e tij karakteristike me hundë “Po ti ]’pret që s’ngrihesh?!” dhe kur I thashë arsyen m’u përgjigj gjithë mllef: “E s’ke surrat ti të parakalosh para udhëheqjes!” Ishte viti 1983 dhe nuk më bëhej vonë për udhëheqjen edhe pse nuk isha ndonjë kundërshtar i flakët i regjimit. Isha një i ri që kisha nisur të kuptoja pak më shumë nga kjo jetë.

40 vjet më vonë, shumë pak ka ndryshuar nga mitingjet, organizatorët dhe frika për të mos marrë pjesë. Sigurisht që ka më shumë liri për ata që nuk merren me politikë dhe punojnë në sektorin privat, që dëshmon se “liria funksionon”, por përsëri janë mijëra njerëz që detyrohen të shkojnë atje ku nuk duan.

Të vjen të klithësh: “Të dhjefsha partitë, të dhjefsha udhëheqësit…se mos harroj edhe të dhjefsha flamujt dhe banderolat!”

Kur do vijë ajo ditë të jemi plotësisht të lirë?

No comments:

Post a Comment