Wednesday, 27 July 2022

Rama mbijeton si sundimtar falë dembelizmit tonë


Ne jemi një popull dembel. Në këtë dembelizëm i ka rrënjët fatkeqësia jonë e vazhdueshme që të kemi në krye sundimtarë të këqinj.

Nuk dua të hyj se si e kush e ka patur fajin në histori për dembelizmin tonë, që disa ja veshin Turqisë dhe të tjerë Turqisë dhe komunizmit, sepse mendoj që i ka rrënjët më të thella. Dua vetëm të theksoj pasojat më të fundit të këtij dembelizmi, që shfaqen në gjendjen politike në Shqipëri.

Ka shumë grupe shoqërore që e kuptojnë se Rama duhet të rrëzohet një orë dhe më parë nga drejtimi i këtij vendi.

Po cila është rruga që kanë menduar një pjesë e tyre?

Rruga më e shkurtër, që gjithnjë është më e gabuara. Dhe rruga më e shkurtër është ajo që zgjedhin gjithnjë individët dembelë dhe popujt dembelë. Të mbështesim Saliun dhe Metën se këta kanë aftësi të mbushin sheshet si dhe energji të demaskojnë Ramën?!

Pjesa më e madhe e tyre i njohin mirë se cilët janë Berisha dhe Meta dhe ç’përgjegjësi personale kanë për gjendjen e mjeruar të vendit dhe përsëri duan t’ju mbushin mendjen të tjerëve se kjo është rruga e vetme dhe më efikase për të hequr qafe Ramën me Rilindasit e tij.

Ka vetëm një rrugë për të rrëzuar Ramën dhe politikanët e tjerë si ai. Kjo është ajo që quhet pjesëmarrje në jetën politike të vendit. Eshtë një rrugë e mundimshme sepse kërkon një impenjim të vazhdueshëm, kërkon të bësh sakrifica personale që fillojnë me përballimin e presioneve dhe deri në prishje të miqësive me të korruptuarit. Kërkon të trokasësh dyerve dhe të kërkosh mbështetje duke i bindur të tjerët se grupi që përfaqëson nuk po hyn në politikë për të vjedhur. Kërkon të solidarizohesh me shtresat në nevojë, të ndihmosh të persekutuarit e komunizmit dhe të luftosh për çka që i bën mirë Shqipërisë dhe Globit.

Por nëse je dembel dhe njëkohësisht të duket vetja dinak, atëhere vazhdon të mbështesësh ata që i njeh si kryehajdutë me shpresën se mund të rrëzojnë bandën tjetër dhe kështu të kesh mundësi të bëhesh drejtor diku dhe “të kesh në dorë“. Dhe kjo vlen për akademikët, për pedagogët e universiteteve, për për studiuesit, për publicistët, për artistët, për gazetarët dhe të gjithë ata që e mendojnë veten se bëjnë pjesë në atë që quhet “elitë“.

Rama ka kohë që e ka “tepruar zullumin”, por ka mbijetuar jo në sajë të manipulimit apo të blerjes së votave, por në sajë të dembelizmit tonë.

Dy opozita vërtet të majta dhe të djathta, që mund të ishin formuar edhe pas zgjedhjeve të kaluara do kishin qënë në gjendje t’ja shkurtonin legjislaturën. “Elektorati gri” do i ndiqte. Për fat të keq, elita dembele shqiptare po gënjen veten se s’ka rrugë tjetër veç të mbështesë dy kampionë të korrupsionit, të cilët kanë hallin e vetëm të shpëtojnë veten dhe fëmijët nga burgu.

Eshtë tragjike por e vërtetë!

No comments:

Post a Comment