Unë vij nga thellësitë e territ,
E territ të plotë ku nuk duken as pemët.
Dhimbjen kam shaluar,
Njësh bërë me të;
E kamzhikoj me një fshikull të helmët.
Diku është fshehur drita
E lëbyrta që kthehet e kristaltë,
Ajo që vitesh e prita
Kur isha i ngujuar,
Në errësirën e pamatë.
E ndërsa oqeani është tërhequr
Edhe ai në pritje të dritës,
Kalorës i një dhimbjeje që rritet bëhem,
Mbi zverkun e saj mbledhur,
Mpakur,
Shpirtin cergosur,
Prej ankthit cfilitës.
Ndër grila të bardha drita pështjellë
E zbehtë,
E
pafuqishme,
E
brishtë,
Nuk mund të më ringjallë shpresën,
As të zvogëlojë dhimbjen që rreket të më qorollisë,
Terri i përjetshëm më përpin,
Më tërheq sërish në të zezën e tij pisë.
No comments:
Post a Comment