Tuesday, 26 July 2022

Kompleksi shëmtaq i Belvederes


Në fillimin e viteve ’60, dikush pati idenë të ndërtonte një pikëvështrimi mbi kodrën, që nuk kishte pasur deri atëhere ndonjë ndërtim. Kodrat e tjera të Korçës kishin kisha, ose ndërtime të bamirësve nga të cilat kishin marrë emrat e tyre në vite. Ndoshta me prirjet e ngjashme me të sotmet për të vënë emra të huaj si “Lungomare”, “City Gate” e të tjera si këto, ndonjë pushtetar i kohës e quajti ndërtimin me funksion të vetëm shikimin e Korçës, Belvedere. Dhe emri ngjiti. Deri në një kohë qytetarët shkonin për të parë qytetin dhe pamjen e Fushës së Korçës, por më vonë, pika të tjera ofronin shikime më të mira dhe të rrallë ishin ata që hipnin në Belvedere.

Socialistët që vetquhen Rilindas dhe që për më të shumtit e njerëzve njihen si Rivjedhës, ose hajdutë përsëritës, ndërtuan të ashtuquajturën Kullë Panoramike me nje Red në majë dhe Belvederja u mendua si një zonë ndërtimi për qytetarë të kamur, që duan gjithnjë të kenë para një pamje të bukur që t’i këndellë dhe njëkohësisht t’i shohin nga lart skëllevërit e tyre që punojnë poshtë.

Kjo ide duket i ka lindur shqiptarit më të pasur, që rastësisht është dhe korçar, Përpaq Manes. Përpaqi (më vjen më mirë t’ja përkthej emrin nga sërbishtja në shqip) me ekipin e tij projektuan një kompleks, i cili dita ditës po duket nga larg edhe më i shëmtuar. Me qindra janë shembujt në botë që mund të të nxisin të projektosh bukur. Jo me dashamirësi, mendoj se duhet të kenë qënë mbresat e fëmijërisë të hershme të Manes, që kanë pëlqyer një kombinim të tillë vëllimesh. Të gjithë e njohin Bitijen si shitëse bulmeti, por ajo ka qënë një kohë të gjatë shitëse në ushqimore dhe ky kompleks më kujton më shumë sapunët e vënë në rradhë në një raft dyqani të kohës së komunizmit.

Më mirë të ishe frymëzuar nga periudha e djathë-kaçkavallit Përpaq!

Le të qeshim se nuk qajmë dot, theshin dikur të lashtët.

Nuk do të shkruaja nëse gjelbërimi I Kodrës do ishte zëvendësuar me një kompleks vilash të bukura në mes të gjelbërimit, me sipërfaqe të madhe kopshtesh, që mund të të sillnin ndërmend peisazhet e Toskanës, por ky kompleks të trishton. Duket sikur mbart devizën:

-Ejani të jetoni në këtë kompleks shëmtaq që të shijoni pamjen që do ju shpaloset.

No comments:

Post a Comment