Sunday, 3 July 2022

Cila është gruaja socialiste?


Në Shqipëri paska gra socialiste, gra demokrate, gra LëSëiste, gra balliste e të tjera. Këtë mësova nga një mku im, që më tha një ditë :”Filanka nuk mund të përfaqësojë gruan socialiste!”

Unë nuk e njihja “filankën”, por nisa të vrisja mendjen se cilat mund të jenë karakteristikat kryesore të “gruas socialiste” dhe cilat janë përfaqësueset më tipike të kësaj kategorie. E shpura mendjen në disa personalitete të nderuara të botës socialiste shqiptare, por asnjë syresh nuk e njoh personalisht, por vetëm nëpërmjet shtypit, gjë që të krijon një përshtypje të gabuar. Nga shoqet e mija të shkollës njoh Vjollca Koroveshin dhe Anan e gjatë, që kontribuojnë në luftën për çështjen e Partisë Socialiste, por edhe ato kanë pak gjëra të ngjashme me njëra tjetrën ndaj nuk mund të krijoj dot “shabllonin” e duhur.

Si ma “rruc kjo radakja” ime, një grua tipike socialiste, duhet të jetë me një filozofi liberale, e përkushtuar ndaj shtresave në nevojë dhe minoriteteve, pjesëmarrëse në lëvizjen sindikaliste, luftëtare kundër korporatave dhe oligarkëve,  përkrahëse e abortit dhe kundërshtare e dënimit me vdekje dhe që herë pas here lexon ndonjë libër që nuk ka autore Daniel Stil.

Por a është kjo socialistja tipike shqiptare?

Ncuq!

Përgjithësisht një socialiste shqiptare ka rrënjë familjare në Partia e Punës, një adhurim të fshehur për Enver Hoxhën, nënshtrim të plotë ndaj udhëheqësit të rradhës, shpërfillje për mendimin kundër dhe sindikatat, e korruptuar financiarisht dhe ndoshta edhe moralisht dhe me urrejtje latente për ish të persekutuarit.

Por ndoshta edhe shablloni im është i gabuar se mbase këtu nuk mund të futet as Balluku, as Spiropali, as Xhaçka as Lindita Nikolla dhe as shumë e shumë drejtoresha, ministresha dhe qejflesha. Ose nëse perifrazojmë një këngë labe e thurrur për gratë që qeverisin Shqipërinë : As Nikolla, as Balluku/ As ajo që leshtë nduku!

“Po ku t’i gjejmë këto gra socialiste që ke në mendje ti, apo t’i sjellim nga Gjermania?” do hidhet një tjetër mik i imi, realist dhe njohës i mirë i shoqërisë shqiptare. Dhe kjo është një pyetje asgjesuese, të cilës unë nuk mund t’i gjej përgjigje, se nuk njoh mirë gruan socialiste shqiptare dhe jo më të njoh socialistet gjermane apo europiane.

Mund t’i përgjigjem vetëm me një varg të huazuar nga Luçio Dalla “ Non so se hai presente una putana ottimiste di sinistra…”

No comments:

Post a Comment